Elon Musk ka humbur gjyqin kundër OpenAI dhe drejtorit ekzekutiv të saj, Sam Altman. Juria në Kaliforni vendosi që kompania e inteligjencës artificiale, e cila krijoi ChatGPT, nuk ishte përgjegjëse ndaj Musk për devijimin e pretenduar të misionit të saj fillestar.
Me një vendim unanim të gjyqtarëve, çështja u rrëzua sepse Musk ngriti padinë e tij pasi kishte skaduar afati i parashkrimit për të ngritur pretendime të tilla. Musk e kishte akuzuar Altman për shkelje të një kontrate jofitimprurëse duke e shndërruar krijuesin e ChatGPT në një kompani fitimprurëse pasi Musk dhuroi 38 milionë dollarë.
Sipas padisë, Musk pretendon se OpenAI u krijua në vitin 2015 si organizatë jofitimprurëse me qëllim zhvillimin e inteligjencës artificiale në dobi të njerëzimit dhe jo për përfitime financiare. Ai argumenton se partneriteti i ngushtë me Microsoft dhe transformimi i strukturës së kompanisë në model fitimprurës bien ndesh me parimet mbi të cilat ishte themeluar organizata.
Në dokumentet gjyqësore, Musk akuzon OpenAI për shkelje kontrate dhe devijim nga misioni origjinal, ndërsa kompania i ka hedhur poshtë pretendimet, duke deklaruar se vetë Musk kishte mbështetur më parë idenë e një strukture fitimprurëse.
OpenAI gjithashtu ka sugjeruar se padia lidhet me konkurrencën në rritje në sektorin e inteligjencës artificiale, pasi Musk tashmë drejton kompaninë e tij të AI, xAI.
Anëtarët e jurisë kaluan tre javë duke dëgjuar dëshmitë e palëve dhe arritën në një vendim pasi u këshilluan për afërsisht dy orë. Dëshmitarët përfshinin vetë Musk, Altman, dhe Satya Nadella, drejtorin ekzekutiv të Microsoft, të cilin Musk e akuzoi për ndihmë në skemë sipas tij përfituese.
Pretendimet e Musk kundër Microsoft u rrëzuan si çështje ligjore duke pasur parasysh gjetjet e jurisë mbi dy pretendimet kundër OpenAI. Dyshja themeloi OpenAI në vitin 2015, por Musk u largua në vitin 2018 pasi bashkëthemeluesit e tij ia mohuan kontrollin./mxh
