Siguria kibernetike po konsiderohet sot një nga prioritetet kryesore për institucionet, bizneset dhe përdoruesit individualë, për shkak të rritjes së vazhdueshme të sulmeve ndaj sistemeve kompjuterike dhe të dhënave digjitale.
Ekspertët theksojnë se siguria kibernetike ka për qëllim mbrojtjen e informacionit, programeve, rrjeteve dhe pajisjeve teknologjike si kompjuterët, telefonat celularë dhe platformat “cloud”. Qëllimi kryesor është garantimi i funksionimit normal të sistemeve dhe parandalimi i çdo ndërhyrjeje që mund të shkaktojë humbje apo manipulim të të dhënave.
Kërcënimet më të shpeshta
Ndër rreziqet më të zakonshme renditen:
-Malware (viruse, trojanë, spyware) që depërtojnë në sisteme pa autorizim
-Sulmet nga hakerë dhe ndërhyrës që synojnë vjedhjen e informacionit
-Phishing dhe inxhinieria sociale, përmes të cilave mashtruesit sigurojnë të dhëna konfidenciale
-Gabimet njerëzore, që shpesh shkaktojnë dobësi në siguri
-Aksidentet dhe fatkeqësitë natyrore, që mund të dëmtojnë fizikisht pajisjet
Sipas specialistëve, një pjesë e konsiderueshme e sulmeve vjen nga brenda organizatave, çka e bën të domosdoshme forcimin e kontrolleve të brendshme dhe politikave të sigurisë.
Masat parandaluese
-Përballë këtyre sfidave, organizatat po zbatojnë masa mbrojtëse si:
-Vendosja e fjalëkalimeve të forta dhe autentikimit të dyfishtë
-Enkriptimi i informacionit të ndjeshëm
-Monitorimi i vazhdueshëm i rrjeteve
-Krijimi i kopjeve rezervë (backup)
-Instalimi i programeve antivirus dhe sistemeve të mbrojtjes
Ekspertët theksojnë se analiza e rrezikut dhe trajnimi i stafit janë elementë kyç për të parandaluar incidentet kibernetike.
Me zhvillimin e teknologjive të reja si inteligjenca artificiale dhe Web 3.0, siguria kibernetike pritet të përballet me sfida edhe më komplekse në të ardhmen.
Megjithatë, investimi në sisteme të sigurta dhe ndërgjegjësimi i përdoruesve mbeten arma më e fortë kundër kërcënimeve digjitale./mxh
