Last Updated on 15/06/2026 by EL
Përdorimi i kokainës në Evropë po shënon rritje në disa rajone, me Spanjën që po evidentohet si një nga pikat kryesore të konsumit dhe trafikimit të kësaj droge. Kjo del nga raporti më i fundit i Agjencisë së Bashkimit Evropian për Barnat (EUDA), i cili analizon nivelet e mbetjeve të kokainës të gjetura në ujërat e zeza të qyteteve evropiane.
Sipas të dhënave, qyteti spanjoll Lleida kryeson në Evropë për sasinë e mbetjeve të kokainës të zbuluara në ujërat e zeza, me 1,405 miligramë për 1,000 banorë. Pas tij renditen Antverpi në Belgjikë, Granada në Spanjë, Amsterdami në Holandë, si dhe Liège dhe Brukseli në Belgjikë.
Raporti evidenton gjithashtu se rritjet më të mëdha të konsumit janë regjistruar në Barcelonë dhe Lleida. Barcelona shënoi një rritje prej 185 për qind, ndërsa Lleida 125 për qind krahasuar me periudhat e mëparshme të matjes. Rritje të konsiderueshme janë vërejtur edhe në Slloveni dhe Danimarkë.
Nga ana tjetër, një anketë tregon se Norvegjia dhe Holanda kanë përqindjen më të lartë të të rriturve që kanë përdorur kokainë gjatë 12 muajve të fundit. Konsumi rezulton edhe më i lartë tek të rinjtë e grupmoshës 15–34 vjeç.
Në aspektin e luftës kundër trafikut të drogës, Spanja raportoi sasinë më të madhe të kokainës së sekuestruar në vitin 2024, me 124 tonë, ndërsa Franca renditet e dyta me 53.5 tonë. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ulja e sekuestrimeve në disa vende nuk nënkupton domosdoshmërish rënie të trafikut, pasi grupet kriminale po ndryshojnë rrugët dhe metodat e transportit.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme ishte operacioni ndërkombëtar i koordinuar nga Europoli kundër të ashtuquajturës “Autostrada Atlantike e Kokainës”, një korridor i rëndësishëm trafiku në Atlantik. Operacioni çoi në sekuestrimin e 11 tonëve kokainë, 8.5 tonëve kanabis, arrestimin e 54 personave dhe bllokimin e tetë anijeve.
Raporti nënvizon se tregu evropian i kokainës mbetet shumë aktiv, ndërsa konkurrenca mes grupeve kriminale vazhdon të ushqejë dhunën dhe aktivitetet e paligjshme në disa vende të kontinentit./ET
