Në Shqipërinë e debateve të nxehta në rrjetet sociale, ku kufiri mes artit, politikës dhe revoltës qytetare është gjithmonë i mjegullt, statuset e fundit të shkrimtarit dhe ish-politikanit Ben Blushi kanë ndezur një tjetër “zjarr”.
Blushi, i njohur për penën e tij të mprehtë zgjodhi të ironizonte protestat e fundit me një pyetje retorike mbi Zvërnecin, flamingot dhe oligarkët vendas e të huaj.

I gjendur menjëherë nën një rrebesh reagimesh negative, ai u rikthye me një status të dytë me tone mjaft të ashpra. I fyer nga ajo që e quajti “rrugaçëria e Facebook-ut”, Blushi kërkoi të kujtonte se tashmë është thjesht një qytetar privat që i është kushtuar tërësisht artit.
Sipas komentuesve thelbi i protestës nuk është thjesht një parcelë toke apo një projekt specifik; është revolta ndaj një klase të tërë politike që ka konsumuar çdo qelizë të besimit publik. Sipas tyre në këtë ekuacion, ekologjia dhe flamingot e Zvërnecit janë vetëm shkëndija. /a.d
