Kryeministri Edi Rama u ndal edhe te çështja e integrimit europian të vendit, ndërsa fliste në podcastin e tij “Flasim”.
Sipas Ramës, rruga drejt Bashkimit Europian është e dukshme, përmes një marrëdhënieje me BE-në që ndërtohet ditë pas dite me rezultate konkrete.
“Për herë të parë pas shumë dekadash rruga drejt Bashkimit Europian nuk duket më si një horizont i largët, por si një majë tanimë e kapshme me sy dhe e arritshme në kohën që kemi në dispozicion. Negociatat kanë avancuar me ritëm, kapitujt janë hapur në kohë rekord, marrëdhënia me Bashkimin Europian ndërtohet ditë pas dite me rezultate konkrete dhe tani Komisioni Europian dhe vendet anëtare përmes ambasadorëve të tyre janë në një fazë kyçe të procesit ku diskutojnë raportin e Komisionit, i cili nënvizon se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat e shtëpisë dhe është e gatshme të hyjë në fazën e mbylljes së kapitujve duke kaluar përmes piketave të ndërmjetme dhe e gjitha kjo nuk ka ardhur rastësisht ka ardhur me punë, ka ardhur me rezultate, ka ardhur nga një proces transformues që vazhdon në çdo sektor”,-deklaroi Rama./Kb
