Last Updated on 27/10/2026 by EL
Pesë kilometrat e parë të rrugës Kombinat-Ndroq-Plepa, deri në Pezë, kanë përfunduar dhe janë marrë në dorëzim nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se ARRSH ka lidhur kontratat për ndërtimin e 9 kilometrave të tjerë, ndërsa 10 kilometrat e fundit deri në Plepa janë financuar.
Sipas ministrit, procedura e tenderimit për këtë pjesë të rrugës pritet të hapet deri në mesin e nëntorit, ndërsa kontratat synohet të lidhen në fillim të janarit.
Karakaçi tha se rruga do të shërbejë si një alternativë për lëvizjen drejt Durrësit, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Ajo do të lehtësojë gjithashtu lidhjen e zonave bujqësore me Tiranën dhe Durrësin. Nga ana tjetër, drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli, bëri të ditur se rruga do të ketë një gjerësi prej 12.5 metrash. Ai foli edhe për ndërtimin e urës së re të Beshirit mbi lumin Erzen, e cila do të jetë 179 metra e gjatë.
Sipas Kozelit, punimet për urën kanë nisur dhe kontrata parashikon përfundimin e saj brenda 12 muajve. Ndërkohë, kontratat për segmentet rrugore kanë një afat prej 24 muajsh.
Ministri Enea Karakaçi:
“Po marrim të gjithë hapat e nevojshëm për të përmbyllur rrugën Kombinat-Plepa. Tashmë 5 kilometërshi i parë që të çon deri në Pezë është i përfunduar dhe e ka marrë në dorëzim Autoriteti Rrugor Shqiptar. Lajmi i mirë është që ditën e djeshme Autoriteti Rrugor Shqiptar ka finalizuar kontratën për vijimin e 9 kilometrave pasues.
Edhe 10 kilometërshi që të çon deri në Durrës, në Plepa, tashmë është i financuar. Autoriteti Rrugor Shqiptar po përmbyll gjithë dokumentacionin e nevojshëm që brenda mesit të muajit nëntor të hapë procedurën e konkurrimit”.
Drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli:
“Kjo është një rrugë e një rëndësie të veçantë, veçanërisht për shfryrjen e trafikut drejt jugut dhe drejt qytetit të Durrësit. Kjo do të jetë një rrugë e kategorisë C1, me një gjerësi 12.5 metra.
Në korrik të këtij viti kemi lidhur dhe një kontratë për ndërtimin e urës së re të Beshirit. Do të jetë një urë e re mbi lumin Erzen, paralel me urën ekzistuese. Kjo do të jetë një urë me gjatësi 179 metra.
Kjo kontratë është 12-mujore, ndërkohë që dy kontratat që ju cituat janë me afat 24 muaj”./et
