Rudina Xhunga, në një rrëfim emocional në “Mirëmbrëma Yje”, përballë Arbana Osmanit, tregoi për sfidat e përditshme të nënës së saj, e cila vuan nga demenca. Sigurisht, është një rrugëtim i vështirë me ulje dhe ngritje dhe gazetarja na dha një pasqyrim të qartë të asaj që përjeton çdo ditë.
“Mami im është me demencë! Është një lloj demence fluturake, që vjen dhe ikën, nuk rri gjithmonë aty. Dhe mami nuk ka një harresë që të më harrojë! Ajo ka më tepër harresë për nevojat e mia, por jo për mua. Për shembull, përpara dy ditësh, më tha: “Ti si je?”, dhe unë fillova të qaja sepse thashë pas 13 vitesh më pyeti se si jam”.
Ajo vazhdoi duke thënë se duhet të mësohesh me këtë vështirësi dhe të mos kesh ndrojë:
“Duhet të mësohesh, e para të mos kesh turp! Sepse turpi është një gjë që të bllokon dhe e burgos të sëmurin. Për turp unë do e kisha mbyllur mamin tim brenda që mos të dilte nga liqeni, po mami im do vdiste po të mos dilte nga liqeni! Dhe një herë nga liqeni e gjeti një kolege, një gazetare, një gocë e re ose e madhe, nuk e di pse e bënë dhe e intervistuan. Dhe ajo tha nga ato gjërat që thotë një njeri me demencë. Dhe ata e nxorrën! Thashë “Sa turp!” Dhe ajo u tha: “Jam nëna e Rudina Xhungës”. Dhe ata u gëzuan dhe e bënë pikërisht për këtë gjë. Po kjo është shumë e rëndë. Dhe pastaj po më thonin: “Ok mami s’duhet të dalë”, po si, ta “vras” unë mamin tim që ata të mos tallen me mua? Le të tallen sepse s’ka asnjë problem. Ajo ka nevojë të dalë dhe do dalë!”.
Demenca është një çrregullim i funksionimit të trurit që shkakton rënie të vazhdueshme të aftësive mendore, duke ndikuar në kujtesë, aftësinë për të menduar, për të marrë vendime, gjykim, të folurit dhe komunikimin, orientimin dhe zbeh aftësitë e përditshme./kb
