Last Updated on 25/07/2026 by Kesjana
**
Rumania ka rrëzuar një tjetër dron në hapësirën e saj ajrore, në incidentin e dytë të regjistruar brenda më pak se 24 orësh, ndërsa autoritetet po hetojnë origjinën e mjetit pa pilot. Presidenti rumun Nicușor Dan bëri të ditur se droni u interceptua të shtunën rreth orës 08:30 nga një avion luftarak F-16, rreth 10 kilometra në perëndim të fshatit Sfântu Gheorghe, në pjesën lindore të vendit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rumanisë, sistemet e radarit zbuluan një dron që fluturonte pranë kufirit me Ukrainën. Dy avionë F-16 u ngritën për të identifikuar objektivin dhe më pas e rrëzuan atë në një zonë të pabanuar pranë kufirit.
Ministri rumun i Mbrojtjes, Radu Miruță, deklaroi se vendi i përplasjes dhe mbetjet e dronit janë duke u analizuar, por shtoi se profili i fluturimit është i ngjashëm me raste të mëparshme të konfirmuara të dronëve rusë. Incidenti i fundit vjen vetëm një ditë pas rrëzimit të një tjetër droni nga një avion rumun F-16. Sipas autoriteteve rumune, avioni luftarak përdori një raketë ajër-ajër për të goditur dronin gjatë një misioni patrullimi ajror nga baza ushtarake Fetești, në lindje të Rumanisë. Për identifikimin e kërcënimit u aktivizuan gjithashtu dy avionë luftarakë italianë Eurofighter Typhoon, të vendosur në bazën ajrore Mihail Kogălniceanu.
Droni i parë u rrëzua në një zonë të pabanuar pranë Padina-s, në verilindje të Bukureshtit. Radarët rumunë e kishin zbuluar fillimisht mbi Detin e Zi, përpara se të lëvizte drejt perëndimit, në drejtim të portit të Sulinës dhe më pas drejt zonës së Buzăut. Prokuroria e Përgjithshme e Rumanisë konfirmoi se droni i interceptuar ishte i tipit Shahed, i njëjti model që përdoret nga forcat ruse. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përshëndeti reagimin e shpejtë të ushtrisë rumune pas incidenteve. “Forcimi i mbrojtjes dhe parandalimit përgjatë kufirit tonë lindor mbetet një prioritet kryesor”, deklaroi ajo. Rumania, vend anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian, ka regjistruar një rritje të rasteve të hyrjes së dronëve në hapësirën e saj ajrore gjatë muajve të fundit si pasojë e luftës në Ukrainë. Në maj, një dron rus i pajisur me eksploziv u përplas pranë një pallati banimi në Galați, duke shkaktuar zjarr në çati dhe duke plagosur dy persona.
Në qershor, një dron detar ukrainas shpërtheu në portin e Konstancës. Marina ukrainase deklaroi se pajisja kishte dalë nga kursi për shkak të ndërhyrjeve elektronike ruse. Incidentet kanë rritur shqetësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa von der Leyen i ka cilësuar ato si pasojë të drejtpërdrejtë të luftës së Rusisë kundër Ukrainës./FC
