Rusia akuzoi Ukrainën se po përpiqet të “prishë” bisedimet mbi një plan të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës, duke thënë se teksti i ri i paraqitur nga Kievi këtë javë ishte “rrënjësisht i ndryshëm” nga ai që Moska negocioi me amerikanët.
“Aftësia jonë për të bërë përpjekjen e fundit dhe për të arritur një marrëveshje do të varet nga puna jonë dhe vullneti politik i palës tjetër. Kjo kryesisht sepse Kievi dhe sponsorët e tij, kryesisht në Bashkimin Evropian, të cilët nuk e shohin një marrëveshje në mënyrë të favorshme, kanë dyfishuar përpjekjet e tyre për ta prishur atë”, tha zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov.
“Pa një zgjidhje adekuate të problemeve që shkaktuan këtë krizë, thjesht do të jetë e pamundur të arrihet një marrëveshje përfundimtare”, vazhdoi Ryabkov, duke bërë thirrje për “qëndrim brenda kufijve të përcaktuar” gjatë samitit midis Presidentëve Vladimir Putin dhe Donald Trump në Alaska, gushtin e kaluar. Përndryshe, “nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje”, shtoi ai.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paraqiti një version të ri të planit amerikan të mërkurën. Ky dokument i ri me 20 pika propozon ngrirjen e vijave të frontit pa zgjidhur menjëherë çështjet territoriale, ndërsa nuk përmban dy kërkesa kryesore nga Moska: tërheqjen e forcave ukrainase nga Donbasi dhe një angazhim ligjor nga Ukraina për të mos u bashkuar me NATO-n.
“Ky plan, nëse mund ta quajmë kështu, është rrënjësisht i ndryshëm nga 27 pikat në të cilat kemi punuar në javët e fundit, që nga fillimi i dhjetorit, në bashkëpunim me palën amerikane”, tha sot Ryabkov./mxh
