Një shtetas bjellorus i akuzuar nga shërbimi federal rus i sigurisë, FSB, për sabotim terrorist është dënuar me 22 vite burg nga një gjykatë ushtarake në Rusi.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme ruse, Sergei Yeremeyev u shpall fajtor për kryerjen e akteve terroriste dhe për vendosjen e eksplozivëve në dy trena mallrash në Siberi gjatë vitit 2023. Një prej trenave po kalonte në tunelin Severomuysky, tuneli hekurudhor më i gjatë konvencional në Rusi, në momentin e shpërthimit.
FSB-ja bëri të ditur se Yeremeyev e kishte pranuar fajësinë pas arrestimit, ndërsa autoritetet ruse e akuzojnë se veproi me urdhër të shërbimeve të inteligjencës së Ukrainës.
Dy sulmet ndodhën në rajonin e Buryatias, në kufi me Mongolinë dhe mijëra kilometra larg Ukrainës. Ato u morën në përgjegjësi nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës, i cili deklaroi se synimi ishte ndërprerja e linjave hekurudhore që, sipas tyre, Rusia i përdor për furnizime ushtarake.
Sulmi i parë ndodhi më 29 nëntor 2023, kur eksplozivë u detonuan në një tren mallrash që po kalonte përmes tunelit Severomuysky, pjesë e linjës hekurudhore Baikal-Amur. Një ditë më vonë, një tjetër shpërthim goditi një tren mallrash mbi urën Chertov, në të njëjtin rajon, një linjë alternative që përdoret kur trafiku devijohet nga tuneli kryesor.
Sipas autoriteteve ruse, sulmet shkaktuan dëme me vlerë rreth 102 milionë rubla, ose mbi 1.2 milionë dollarë, si dhe ndërprerje serioze të trafikut hekurudhor.
Yeremeyev do të vuajë pesë vitet e para të dënimit në burg, përpara se të transferohet në një kamp korrektues me siguri të lartë./mxh
