Negociatat që synojnë t’i japin fund luftës ruse në Ukrainë po prodhojnë sinjale progresi, por sfida të mëdha mbeten në rrugën drejt një ujdie përfundimtare. Kështu u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, këtë të hënë.
Sipas tij, bisedimet mes të dërguarve të Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së ditët e fundit në Abu Dabi ishin konstruktive dhe një raund i ri negociatash planifikohet javën e ardhshme. Edhe pse nuk pati arritje të rëndësishme, Peskov theksoi se vetë fakti që këto kontakte kanë nisur në mënyrë konstruktive është pozitiv.
Zyrtarët kanë zbuluar pak detaje nga bisedimet e mbajtura të premten dhe të shtunën, të cilat janë pjesë e përpjekjeve njëvjeçare të administratës Trump për t’i çuar palët drejt një marrëveshjeje paqeje dhe për t’i dhënë fund luftës katërvjeçare.
Nga ana tjetër, presidenti Volodimir Zelenski ka deklaruar se një dokument me garancitë e sigurisë për Ukrainën është plotësisht gati dhe se Kievi po pret kohën dhe vendin e duhur për ta firmosur.
“Për ne, garancitë e sigurisë janë para së gjithash garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara. Dokumenti është 100% gati dhe ne po presim që partnerët tanë të konfirmojnë datën dhe vendin e nënshkrimit. Dokumenti do të dërgohet më pas për ratifikim në Kongresin e SHBA-së dhe në parlamentin ukrainas”, tha Zelenski/kb
