Rusia deklaron se është e gatshme të rikthehet në tryezën e bisedimeve me Ukrainën, duke thënë se negociatat mund të rinisin aty ku u ndërprenë në 2022.
Gjatë një deklarate për mediat, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se Moska mbetet e hapur për dialog.
“Ne jemi të gatshëm të bisedojmë me Kievin, ashtu siç kemi qenë gjithmonë. Ne ishim gati të negocionim në Stamboll në vitin 2022, kur pala ukrainase paraqiti propozimet e saj për kushtet e përfundimit të këtij konflikti, duke respektuar interesat legjitime të Donbasit”, tha Sergei Lavrov.
Lavrov pretendoi se dialogu ishte ndërprerë pasi pala ukrainase kishte zgjedhur vazhdimin e luftimeve.
“Ne jemi të gatshëm t’i rifillojmë ato në çdo kohë, nga pika ku mbetën. Ndoshta dikush u ka thënë sërish ukrainasve: nuk ka nevojë për hapa që zgjasin dialogun, le të luftojmë. Dhe kështu ata po luftojnë. Por do ta përsëris se sa herë që presidenti Putin flet për çështjen e Ukrainës, ai thekson se ne patjetër preferojmë një zgjidhje politike dhe diplomatike”, shtoi Sergei Lavrov.
Megjithatë, deklarata e kreut të diplomacisë ruse nuk shoqërohet me sinjale për ndryshim të qëndrimit të Moskës lidhur me kërkesat e saj ndaj Ukrainës.
Një nga kërkesat kryesore të Rusisë mbetet dorëzimi i territoreve të Donbasit, që aktualisht kontrollohen ende nga Ukraina, një kusht i refuzuar nga Kievi. Pavarësisht sinjaleve për dialog, e kundërta ndodh në front ku palët çdo ditë po luftojnë, ndërsa nuk mungojnë as sulmet ajrore me dhjetëra viktima çdo ditë./MXH
