Autoritetet ruse kanë intensifikuar masat për kufizimin e internetit, duke ndërprerë periodikisht shërbimet mobile dhe duke kufizuar përdorimin e aplikacioneve të njohura të komunikimit.
Sipas raportimeve të fundit, në zona të ndryshme të Moskës dhe qyteteve të tjera të mëdha, interneti mobil është ndërprerë çdo ditë gjatë javës së fundit. Qeveria ruse justifikon këto masa si të domosdoshme për arsye sigurie, duke përmendur kërcënimet nga sulmet me dronë.
Gazetari investigativ rus Andrei Soldatov thotë se qëllimi shkon përtej sigurisë. Sipas tij, autoritetet po përpiqen të detyrojnë qytetarët të përdorin vetëm platformat e miratuara nga shteti dhe të “riprogramojnë” sjelljen e tyre digjitale.
“Po përpiqen t’i detyrojnë njerëzit të përdorin vetëm shërbimet e miratuara dhe të harrojnë se mund të mbështeten te interneti mobil.”
Ndërkohë, qytetarët në Moskë raportojnë vështirësi të përditshme. Problemet përfshijnë mosfunksionimin e navigimit, pamundësinë për të kryer pagesa dhe ndërprerje të komunikimit.
“Është e bezdisshme, por mund të jetosh me këtë. Mendoj se lidhet me sigurinë.”
Në të njëjtën kohë, Rusia ka ndërmarrë hapa për të kufizuar aplikacione si Telegram dhe WhatsApp, si dhe ka bllokuar qindra shërbime VPN që përdoren për të anashkaluar censurën.
Ekspertët thonë se këto masa janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të forcuar kontrollin e brendshëm, në një kohë kur lufta në Ukrainë vazhdon dhe mund të ndikojë në mbështetjen publike.
Sipas diplomatëve perëndimorë, autoritetet ruse po përgatiten për çdo skenar – qoftë vazhdimin e luftës, qoftë një marrëveshje paqeje – duke u siguruar që kontrolli mbi informacionin të mbetet i fortë./mxh
