Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se pati një “diskutim shumë të mirë” me Donald Trump për Groenlandën një ditë më parë, për të garantuar sigurinë e Arktikut nga kërcënimi rus dhe kinez.
Rutte tha të enjten në mëngjes se është e rëndësishme të gjendet mënyra se si vendet që kanë qasje në këtë rajon, si Kanadaja, Islanda, Danimarka, Suedia, Finlanda dhe Norvegjia, mund të bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara për të mbajtur jashtë Rusinë dhe Kinën.
“Të jenë të sigurt që kinezët dhe rusët nuk do të kenë akses në ekonominë e Groenlandës, as nuk do të kenë prani ushtarake në Groenlandë”, tha ai për gazetarët, transmeton “The Guradian”.
Çfarë diskutuan Trump dhe Rutte?
Pas bisedimeve në Davos me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Donald Trump deklaroi tw mwrkurwn nw mbrwmje se të dy kishin “krijuar kuadrin e një marrëveshjeje të ardhshme në lidhje me Groenlandën”. Megjithatë, detajet e marrëveshjes mbeten të paqarta.
Duke folur për gazetarët pas takimit me kreun e NATO-s, Trump sugjeroi se një marrëveshje e mundshme mund të përfshinte të drejtat mbi mineralet dhe gjithashtu la të kuptohej se mund të ketë bashkëpunim për sistemin mbrojtës “Golden Dome”.
“Është marrëveshje përfundimtare afatgjatë”, u tha Trump më vonë gazetarëve. “Ajo i vendos të gjithë në një pozicion shumë të mirë, veçanërisht sa i përket sigurisë dhe mineraleve”.
Pas bisedimeve, zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, komentoi: “Negociatat mes Danimarkës, Groenlandës dhe Shteteve të Bashkuara do të vazhdojnë me synimin për të siguruar që Rusia dhe Kina të mos vendosin kurrë rrënjë, ekonomike apo ushtarake, në Groenlandë”./kb
