Last Updated on 29/11/2025 by Monika
Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka reflektuar mbi rrugëtimin e tij politik dhe debatet e së kaluarës brenda PD-së, duke theksuar se gabimet e tij lidhen vetëm me përplasjet e opinionit dhe jo me çështje që cenojnë interesin publik.
Gjekmarkaj u shpreh se çdo konflikt politik që ka pasur, përfshirë edhe ato me ish-kryeministrin dhe kreun aktual të PD-së, Sali Berisha, nuk përbën peshë morale për të, pasi nuk lidhen me veprime që dëmtojnë qytetarët. Ai nënvizoi se asnjëherë nuk ka abuzuar me detyrën dhe se ndërgjegjja e tij është e pastër.
“Nëse mëkatet e mia në politikë janë debatet dhe konfliktet e opinionit brenda partisë, këto i mbaj me kënaqësi. Mëkat do të ishte po të fusja duart në xhepat e shqiptarëve, po t’i gënjeja apo t’i vidhja,” deklaroi deputeti demokrat, duke shtuar se nuk ka cenuar askënd, as në planin personal dhe as në atë publik.
Në vijim, Gjekmarkaj vlerësoi kontributin historik të Sali Berishës, të cilin e cilësoi si një figurë të pazëvendësueshme në proceset më të rëndësishme të shtetformimit modern të Shqipërisë.
“Berisha është një lider dhe faktor i padiskutueshëm. Ka pasur ulje dhe ngritje si çdo njeri, por ka dhënë kontribute të mëdha për vendin nga udhëheqja e revoltës demokratike të vitit 1990, tek anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe heqja e vizave. Askush nuk ka ndikuar më shumë në historinë moderne të Shqipërisë,” tha ai.
Sipas Gjekmarkajt, debatet e së kaluarës brenda PD-së janë tashmë të kapërcyera dhe partia është e konsoliduar:
“E kemi tejkaluar të shkuarën përmes arsyes dhe dialektikës. PD sot është e bashkuar dhe e gatshme për t’u përballur me realitetin politik të vendit.”
