Last Updated on 27/12/2025 by EL
Takimet e Ervin Salianjit me demokratët kanë trembur Sali Berishën, i cili po u bën thirrje që të mos marrin pjesë në foltoret e ish-deputetit. Pas akuzave për lidhjet me Suel Çelën, kësaj radhe zyrtarët e Partisë Demokratike e akuzojnë Salianjin se takimin e sotëm në Shkodër ia organizon Benet Beci me falangat e tij. Në një mesazh dërguar demokratëve të PD në Shkodër, demokratëve u thuhet se ky është takim me një axhendë tërësisht private.
“Sot, duke spekuluar në emër të PD-së, po tentohet të organizohet një takim me një axhendë tërësisht private, pa asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Ky takim organizohet nga Benet Beci dhe falanga e tij dhe, për më keq, me mbështetjen edhe të elementëve kriminalë. Dega e PD Shkodër ju bën thirrje ju, si anëtar i degës, të distancoheni, pasi ky takim i shkon për shtat axhendës së Edi Ramës”, thuhet në mesazhin e dërguar demokratëve.
Takimi i Ervin Salianjit organizohet sot në orën 18:00, ndërsa po në të njëjtën orë Sali Berisha do të jetë në takim me demokratët në Korçë.
Zyrtarët e PD, mes tyre Flamur Noka, e kanë akuzuar Salianjin se takimin me demokratët në Elbasan ia ka organizuar Suel Çela. Akuza që janë mohuar nga ish-deputeti, i cili numrit 2 të PD-së i kujtoi lidhjet me Suel Çelën dhe akuzat se në 2021 i ndihmoi që të mblidhnin firmat e demokratëve për mbledhjen e Këshillit Kombëtar./E.T

