Demokratët në Senatin amerikan akuzojnë republikanët se duan të përdorin 1 miliard dollarë nga fondet publike për ndërtimin e sallës së madhe të pritjeve që kërkon presidenti Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, deklaroi se në një kohë kur amerikanët po përballen me krizën e kostos së jetesës, republikanët po financojnë “lukset” e Trump.
“Njerëzit kanë nevojë për ndihmë ekonomike, jo për një sallë vallëzimi”, u shpreh Schumer në një letër drejtuar senatorëve.
Në tetor, Trump shembi një pjesë të Shtëpisë së Bardhë për të ndërtuar një sallë pritjesh me kapacitet deri në 1 mijë persona, ku do të organizohen darka dhe evente me liderë të huaj.
Në atë kohë, presidenti amerikan kishte deklaruar se projekti do të financohej nga donacione private.
Por sipas demokratëve, një projektligj i republikanëve i paraqitur javën e kaluar parashikon 1 miliard dollarë për Shërbimin Sekret amerikan, fonde që pritet të përdoren edhe për infrastrukturën e sigurisë së lidhur me sallën e re në Shtëpinë e Bardhë.
Projektligji përfshin gjithashtu mbi 60 miliardë dollarë për policinë kufitare dhe agjencinë amerikane të emigracionit./mxh
