Salma Hayek është zyrtarisht gjyshe! Aktorja 59-vjeçare është bërë gjyshe pasi djali i bashkëshortit të saj, François Pinault Jr., mirëpriti fëmijën e tij të parë me bashkëshorten, Lara Cosima Henckel von Donnersmarck.
Hayek ka një vajzë, Valentina, 18 vjeçe, me bashkëshortin François-Henri Pinault, 64 vjeç, ndërsa është edhe njerkë e tre fëmijëve të tij të tjerë: Mathilde, 25 vjeçe, François, 38 vjeç, dhe Augustin, 19 vjeç.
Të dielën, më 16 gusht, aktorja publikoi në Instagram një video të ëmbël ku shihet duke mbajtur në krahë nipin e saj dhe duke i folur në spanjisht. Në përshkrimin e videos, ajo zbuloi se vogëlushi ka marrë emrin François, por ajo ka vendosur ta thërrasë “Panchito”.
“Jemi të bekuar që mirëpresim brezin e katërt të François-ve që jetojnë. Edhe pse unë do ta quaj Panchito. Duket se atij i pëlqen dhe nuk mund ta dua më shumë”, shkroi Hayek.
Një javë më parë, edhe nëna e foshnjës, Lara Cosima Henckel von Donnersmarck, publikoi disa fotografi me djalin e saj, mes të cilave edhe një tjetër moment të ëmbël të Salma Hayek me nipin.
“Bashkëshorti im, François-i më i lezetshëm në botë, dhe djali ynë, François-i më i ëmbël në botë… muaji ynë i parë si prindër”, shkroi ajo krahas fotografive.
Hayek mori rolin e njerkës kur u martua me François-Henri Pinault në vitin 2009. Aktorja, e cila kishte sjellë në jetë vajzën Valentina në të njëjtin vit, u përfshi menjëherë në jetën e tre fëmijëve të bashkëshortit të saj.
“Gjithmonë kam dashur të kem shumë fëmijë dhe nuk munda. Trupi im, si për mrekulli, më dha një”, tregoi ajo në vitin 2017. “Bekimi i madh që kam pasur është se bashkëshorti im ka edhe tre fëmijë të tjerë. Kështu që unë kam katër. Dhe të gjithë janë shumë të ndryshëm.”
Në një intervistë të mëparshme, Hayek foli edhe për mënyrën se si e ka balancuar mëmësinë me karrierën. Ajo tregoi se bashkëshorti e kishte inkurajuar të vazhdonte punën pas lindjes së Valentina-s, një vendim për të cilin ajo shprehej mirënjohëse.
“Është e rëndësishme që fëmijët tuaj të kuptojnë se ata janë gjëja më e rëndësishme, por jo gjithçka ka të bëjë vetëm me ta. Ju u jepni një shembull duke treguar se jeni gjithashtu njeri dhe se duhet të vazhdoni të rriteni në fushën ku punoni”, tha aktorja./mxh
