Last Updated on 15/04/2026 by Monika
Në një kohë ku Shqipëria vuan nga ikja e trurit, në një kohë ku 20-vjeçarët braktisin shkollat për të ndërtuar një të ardhme larg atdheut, me ambicie të madhe për të korrur sukses, suskses që në Shqipëri “ruhet” për njerzit “me miqësi”, Partia Socialiste formon atë që e quan “Samiti i Diasporës”.
Një samit kur flitet për punën dhe pozitat e shqiptarëve jashtë vendit dhe sa me rendësi janë ato për vendin ku kanë tashmë jetën e tyre si qytetarë evropian… një “luks” që askush nuk ua fali, por e morën me gjak… e për këtë nuk i detyrohen vendit të tyre, aq më pak qeverisë.
Shqiptarët nuk ikën se deshën aventura, nuk ikën se u mërzitën nga “luksi” në vendin e tyre e donin të eksploronin botën, nuk ikën se donin të linin prindërit me brengë në zemër… ata ikën për diçka shumë të thjeshtë, që fatkeqësisht Shqipëria e kishte të pamundur t’ua ofronte, mirëqenien.
A duan të kthehen ata që ikën? Po, duan! Por saherë kthehen si vizitorë në shtëpinë e tyre, kujtojnë se pse kanë ikur…
Njësoj si në vitet më të errëta të vendit tonë, dëshira për të ikur është po e njëjta…
Por, samiti i Diasporës flet për një realitet gati, gati…surreal. Për Shqipërinë Evropiane flasin po të njëjtat fytyra që kanë qenë për dekada me radhë në pushtet, që janë njollosur për përfitime personale të panumërta, por vazhdojnë të flasin pa ndërgjegjie, për Shqipërinë e prapambetur, që për ta është në kulmin e suksesit.
Një episod që u bë viral në rrjetet sociale, ishte në samitin “e famshëm” ku emigrantja shqiptare Eva Baçi, me profesion jurist në Prokurorinë e Bolonjës, u plasi në fytyrë socialistëve realitetin e tyre.

“Unë kam mbaruar 3 fakultete në Bolonjë, kam dy specializime. Kemi kërkuar shumë herë, që të hyjmë të japim kontributin tonë. Unë punoj 14 orë në Itali, por mund të punoj 20 orë për Shqipërinë. Unë nuk kam vend ku të flas, dua të shpreh atë që kam, sepse përndryshe ne ngelemi vetëm numra. Unë nuk mund të pres biletën të vij që andej për të qenë një numër.”
Realiteti për të cilën u shpreh Eva Baçi është e vërteta e të gjithë shqiptarëve që janë “humbur” nëpër botë dhe këto “të vërteta” për liderët tanë janë akuza për t’i zbehur shkëlqimin Shqipërisë…../M.XH