Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu paralajmëroi sot për vonesat e panevojshme, në përpjekjet e vendit të saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, duke kërkuar që procesi të bazohet vetëm në meritë.
“Ne nuk presim rrugë të shkurtra apo përjashtime, por një proces të bazuar në merita”, tha Sandu, pas takimit me kryeministrin e Bavarisë, Markus Soder, në Kishinev.
Ajo theksoi se të gjithë partnerët e përfshirë në këtë proces, duhet të ecin përpara me të njëjtin vendosmëri, duke shtuar se situata gjeopolitike e bën kohën një faktor vendimtar.
Bisedimet zyrtare për anëtarësim mes Bashkimit Evropian dhe qeverisë së Kishinevit kanë nisur në qershor të vitit 2024.
Një vit më parë, Sandu vendosi si objektiv që Moldavia të bëhet pjesë e BE-së deri në vitin 2030.
Vendi i vogël shpreson se anëtarësimi në BE, do t’i sigurojë më shumë mbrojtje ndaj një kërcënimi të mundshëm nga Rusia.
Sandu e cilësoi afatin e vendosur prej saj si “ambicioz, por edhe realist”.
Ajo theksoi se Gjermania është një nga vendet partnere më të rëndësishme të Moldavisë.
Presidentja e Moldavisë kërkoi një integrim më të madh të kompanive moldave në zinxhirët ekonomikë gjermanë dhe tha se vendi është i hapur për më shumë angazhim nga kompanitë bavareze.
Sipas saj, bashkëpunimi më i ngushtë ekonomik, mund të ndihmojnë gjithashtu në rindërtimin e Ukrainës.
“Ne duam të ndërtojmë një Moldavi të sigurt dhe demokratike”, deklaroi Sandu.
Kryeministri bavarez kërkon vendim të shpejtë
Para vizitës në Moldavi, Markus Soder ka theksuar mbështetjen e tij për procesin e anëtarësimit të vendit në BE dhe ka kërkuar gjithashtu, përshpejtim të vendimmarrjes në Kishinev.
“Moldavia mund të mos jetë vendi më i madh, por është shumë e rëndësishme nga pikëpamja gjeopolitike. Ne besojmë se Moldavia duhet të ketë një vend në Bashkimin Evropian”, tha Soder.
Ai vlerësoi përpjekjet e moldavëve për të përmbushur kërkesat e anëtarësimit, duke shtuar se, po lind një shoqëri tjetër, një vend tjetër që është gati për rrugën drejt Bashkimit Evropian./mxh
