ekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, do të fillojë një udhëtim dy-ditor për të forcuar lidhjet me Sllovakinë dhe Hungarinë, udhëheqësit konservatorë të të cilave, shpesh në kundërshtim me vendet e tjera të Bashkimit Evropian, kanë lidhje të ngrohta me Presidentin Donald Trump.
Rubio do ta shfrytëzojë udhëtimin për të diskutuar bashkëpunimin në energji dhe çështjet dypalëshe, përfshirë angazhimet e NATO-s, tha Departamenti i Shtetit në një njoftim javën e kaluar.
“Këto janë vende që janë shumë të forta me ne, shumë bashkëpunuese me Shtetet e Bashkuara, punojnë shumë ngushtë me ne dhe është një mundësi e mirë për t’i vizituar ato dhe dy vende ku nuk kam qenë kurrë”, u tha Rubio gazetarëve përpara se të nisej për në Evropë të enjten.
Rubio, i cili në rolin e tij të dyfishtë shërben edhe si këshilltar i sigurisë kombëtare i Trump, do të takohet në Bratislavë të dielën me kryeministrin sllovak Robert Fico, i cili vizitoi Trump në Florida muajin e kaluar. Udhëtimi i diplomatit amerikan vjen pas pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih gjatë ditëve të fundit.
Të hënën, Rubio pritet të takohet me udhëheqësin hungarez Viktor Orban, i cili është prapa në shumicën e sondazheve përpara zgjedhjeve në prill, kur ai mund të rrëzohet nga pushteti.
