Si pasojë e rënies së disa ortekëve masivë në zonën pranë tuneleve panoramike të aksit Qafë Thore–Theth, rruga këtë mëngjes është bllokuar plotësisht, duke e bërë të pamundur qarkullimin e çdo mjeti në këtë segment.
Autoritetet vendore dhe strukturat e emergjencave civile bëjnë me dije se, për arsye sigurie, qarkullimi do të qëndrojë i pezulluar deri në një njoftim të dytë. Edhe mjetet borëpastruese nuk mund të ndërhyjnë aktualisht në zonë, për shkak të rrezikut të lartë nga ortekë të tjerë të mundshëm dhe kushteve të vështira atmosferike.
Burime nga terreni bëjnë të ditur se reshjet intensive të ditëve të fundit, të shoqëruara me temperatura të ulëta, kanë favorizuar krijimin e shtresave të paqëndrueshme të dëborës në shpatet malore, duke rritur ndjeshëm probabilitetin e rrëshqitjeve.
Zona pranë tuneleve panoramike konsiderohet një ndër pikat më problematike gjatë sezonit dimëror, për shkak të ekspozimit ndaj ortekëve. Institucionet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të shmangin plotësisht këtë aks, duke zgjedhur itinerare alternative.
Gjithashtu, qytetarët dhe vizitorët këshillohen të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare për çdo përditësim mbi situatën dhe rihapjen e mundshme të rrugës./kb
