Last Updated on 31/10/2026 by EL
Ekonomisti Selami Xhepa paralajmëron se thellimi i pabarazive dhe dobësimi i shtresës së mesme mund të ushqejnë konflikte sociale dhe të cenojnë stabilitetin demokratik. Gjatë një bisede në podcastin “Apostrof” me Bjorn Runën, ai argumentoi se taksimi më i lartë i të pasurve duhet parë si një përgjigje ndaj këtij rreziku.
“Nuk duhet parë si një luftë klasash, duhet parë si një sfidë ndaj stabilitetit të rendit tonë global, të rendit tonë demokratik”, u shpreh Xhepa.
Sipas tij, përqendrimi i pasurisë në duart e një pakice po shoqërohet me tkurrjen e shtresës së mesme, duke dobësuar bazën sociale që mbështet qëndrueshmërinë e shoqërisë. Ai theksoi se ky shqetësim është i pranishëm edhe në Shqipëri, ku hendeku mes super të pasurve dhe familjeve që mezi përballojnë shpenzimet mujore krijon potencial për përplasje shoqërore.
Xhepa e lidhi problemin edhe me mënyrën se si ndahet vlera e krijuar në ekonomi mes punonjësve dhe pronarëve. Sipas tij, pagat më të drejta do ta zvogëlonin nevojën për ndërhyrje të mëvonshme të shtetit përmes taksave dhe politikave rishpërndarëse.
“Në qoftë se në fund të muajit punëtori merr rrogë më të lartë, pra diçka më të mirë nga vlera që është krijuar në procesin e tij të punës, atëherë nuk do të kishte nevojë për të realizuar edhe një proces kaq të fortë të rishpërndarjes”, tha ai.
Por për sa kohë kjo shpërndarje mbetet e pabarabartë, Xhepa e sheh financën publike si instrumentin e domosdoshëm për të korrigjuar hendekun social. Në këtë kuptim, debati mbi taksimin e të pasurve lidhet drejtpërdrejt me aftësinë e shoqërisë për të shmangur thellimin e tensioneve dhe për të ruajtur stabilitetin demokratik./et
