Këngëtarja kolumbiane Shakira premtoi ndihmë financiare të hënën për të rindërtuar shkollat në vend pas një tërmeti shkatërrues që goditi më 10 gusht.
Shakira vizitoi departamentin e Choco-s, i cili është goditur nga tërmeti, në bregdetin e Paqësorit të Kolumbisë, me filantropin amerikan Howard Buffett, një javë pasi një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 shkaktoi vdekjen e gati 300 njerëzve.
Këngëtarja e njohur e muzikës pop tha se fondacioni i saj, Pies Descalzos, prej më shumë se 20 vitesh është aktiv në këtë provincë të varfër të Kolumbisë veriperëndimore, duke mbështetur ndërtimin e shkollave dhe programeve arsimore për fëmijët dhe të rinjtë.
Më shumë se 2.800 shkolla në të gjithë Kolumbinë janë dëmtuar nga tërmeti, shumë prej tyre në Çoko, ku jetojnë kryesisht komunitete indigjene dhe afro-kolumbiane.
“Ajo që më shqetëson më shumë është se, sapo të hiqet gjendja e jashtëzakonshme, të gjitha këto shkolla mund të mos rindërtohen, se kaq shumë njerëz do të harrohen dhe se fëmijët tanë nuk do të mund të kthehen në shkollë”, theksoi Shakira duke folur për gazetarët nga Kimbdo, kryeqyteti i provincës.
Këngëtarja kolumbiane bëri të ditur se tashmë janë mbledhur 1 milion dollarë për rindërtimin. Fondet pritet të përdoren kryesisht për riparimin e godinave shkollore, rindërtimin e një institucioni të arsimit teknik dhe ndërtimin e 10 shkollave të reja.
Më herët ajo kishte postuar në rrjetin social X, ku dha mbështjetjen e saj pas lajmit të tërmetit shkatërrimtar në Kolumbi disa ditë më parë.
“Kolumbi e dashur, zemra ime është me të gjithë ata që sot ndienë këtë tërmet dhe me familjet që po kalojnë momente ankthi. Në momente të tilla, ne kolumbianët dimë të bashkohemi dhe të mbështesim njëri-tjetrin. Gjithë forcën dhe dashurinë time për vendin tim. Le të përqafohemi fort dhe të jemi të vëmendshëm ndaj udhëzimeve, në mënyrë që të mund të ndihmojmë sa më shpejt të jetë e mundur.”
Përmes fondacionit të saj Pies Descalzos, të themeluar në vitin 1997, Shakira është angazhuar prej dekadash në mbështetjen e arsimit publik në Kolumbi, veçanërisht për fëmijët dhe komunitetet në nevojë. Fondacioni ka ndërtuar dhe përmirësuar shkolla në disa zona të vendit, ndërsa ka zhvilluar edhe programe që synojnë të rrisin aksesin dhe vazhdimësinë e fëmijëve në arsim./mxh
