Sharon Stone duket se ka hyrë në një tjetër fazë të jetës sentimentale. Aktorja e njohur amerikane ka rrëfyer se lidhjet e shkurtra dhe marrëdhëniet pa përkushtim nuk i duken më tërheqëse, pasi ajo që dëshiron sot është një partneritet i vërtetë.
Gjatë një bisede në podcast-in “Mayim Bialik’s Breakdown”, 68-vjeçarja foli hapur për jetën e saj private dhe pranoi se ka qenë beqare për një periudhë të gjatë. Për Stone, një marrëdhënie intime pa lidhje emocionale nuk është më ajo që kërkon.
“Dua të jem vetëm me dikë për të cilin kam vërtet kujdes”, u shpreh ajo, duke bërë të qartë se dëshiron një person që të jetë pjesë reale e jetës së saj, jo thjesht një partner për momente intime.
E pyetur për eksperiencat e saj të mëparshme në dashuri dhe nëse ka përjetuar ndonjëherë atë që konsiderohet “dashuria e madhe”, aktorja dha një përgjigje që tërhoqi vëmendje.
“Kam pasur dashuri në jetën time, por nuk besoj se kam njohur dashurinë e madhe”, tha Stone.
Me dy martesa pas vetes dhe si nënë e tre djemve të adoptuar, aktorja duket se sot e përkufizon ndryshe një marrëdhënie të shëndetshme. Ajo nuk kërkon thjesht praninë e dikujt, por një person me të cilin të ketë lidhje emocionale, kujdes të ndërsjellë dhe një ndjenjë të vërtetë partneriteti.
Duke folur për marrëdhëniet pa angazhim, Stone pranoi me humor se ka nisur të lodhet nga kjo dinamikë: “Po filloj të mërzitem pak nga e gjithë kjo”.
Në rrëfimet e saj ndër vite, Stone ka folur edhe për momentet e vështira që kanë ndikuar në jetën e saj personale. Ajo ka treguar se martesa me Phil Bronstein u vu në një provë të fortë pas diagnostikimit me dy tumore në gji, periudhë gjatë së cilës ajo iu nënshtrua një mastektomie totale.
Sipas rrëfimit të aktores, mënyra se si bashkëshorti i saj reagoi ndaj situatës ndikoi më vonë në marrëdhënien e tyre dhe u bë një nga faktorët që çuan drejt ndarjes.
Sot, Stone duket se nuk kërkon më thjesht një histori dashurie, por dikë me të cilin të ndajë jetën, kujdesin dhe një lidhje që shkon përtej tërheqjes fizike./mxh
