Presidenti i SHBA, Donald Trump, njoftoi se Shtetet e Bashkuara dhe Irani zhvilluan “biseda produktive” gjatë fundjavës, dhe se ai do të pezullojë sulmet ushtarake kundër centraleve të energjisë iraniane për një periudhë pesë-ditore.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se vendimi për shtyrjen e sulmeve u bazua në “tonin dhe përmbajtjen” e diskutimeve.
“Kam kënaqësi të raportoj se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë zhvilluar, gjatë dy ditëve të fundit, biseda shumë të mira dhe produktive lidhur me një zgjidhje të plotë të armiqësive tona në Lindjen e Mesme”, shkroi ai.
Më herët, Trump kishte kërcënuar të godiste termocentralet iraniane nëse vendi nuk lejonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Deri javën e kaluar, ai kishte deklaruar se nuk ishte i interesuar për një armëpushim me Iranin, duke thënë: “Mund të kemi dialog, por nuk dua të bëjmë një armëpushim.”
