Last Updated on 07/08/2026 by EL
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja për të goditur një rrjet ndërkombëtar shtëpish këmbimi valutash dhe kompanish fantazmë, që sipas Uashingtonit është përdorur nga Irani për të shmangur sanksionet dhe për të transferuar fshehurazi qindra miliona dollarë.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, deklaroi se Thesari amerikan ka vepruar kundër këtyre strukturave të paligjshme si pjesë e presionit të vazhdueshëm ndaj Teheranit.
Sipas autoriteteve amerikane, shtëpi këmbimi valutash me bazë në Dubai, si Titan Exchange dhe Alps International, kanë luajtur rol kyç në transferimin e fondeve në emër të Bankës Shahr dhe kompanive të saj.
Përmes disa kompanive fantazmë të regjistruara në Hong Kong, këto struktura kanë mundësuar transaksione prej qindra milionësh dollarë në monedha të ndryshme gjatë vitit 2026.
Uashingtoni vlerëson se Irani po përballet me mungesë të theksuar të monedhës së huaj, ndërsa korrupsioni brenda sistemit bankar në hije po e dëmton më tej regjimin.
Duke goditur këto rrjete, SHBA-ja synon t’i vështirësojë Teheranit rikuperimin e të ardhurave nga shitja e naftës, të cilat, sipas amerikanëve, përdoren për financimin e forcave të armatosura dhe grupeve proxy në rajon./ET
