SHBA-të kanë hequr sanksionet mbi disa sektorë të naftës iraniane, ndërsa përpiqen të përmbajnë ndikimin e luftës së tyre në Iran në tregjet e energjisë.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi lëshimin e një autorizimi afatshkurtër, që lejon shitjen e naftës iraniane që aktualisht është e bllokuar në det.
Ekspertët thanë se vendimi i SHBA-së ka të ngjarë të ketë një efekt të kufizuar në çmime dhe mund të rrisë fondet që shkojnë për regjimin iranian, të cilin SHBA-të po e sulmojnë.
Të premten, Bessent tha se leja ishte e zbatueshme për shitjen e naftës bruto dhe produkteve të naftës me origjinë iraniane që aktualisht janë të ngarkuara në anije.
Autorizimi do të zgjasë deri më 19 prill, shtoi Departamenti i Thesarit. Sekretari amerikan i thesarit tha se ky veprim do të sillte shpejt rreth 140 milionë fuçi naftë në tregjet globale. Përpara luftës, Kina ishte blerësi kryesor i naftës që vinte nga Irani, duke i blerë fuçitë me një zbritje të madhe për shkak të sanksioneve të vendosura nga SHBA-ja dhe vende të tjera.
Në një intervistë me Fox Business të enjten, Bessent tha se një heqje dorë nga kufizimet e shitjeve mund të ndihmojë në devijimin e më shumë këtyre furnizimeve drejt vendeve të tjera që kanë nevojë për naftë, të tilla si India, Japonia dhe Malajzia, ndërsa detyron Kinën të paguajë “çmimin e tregut”.
Në një postim në “X”, Bessent tha se Irani do të kishte vështirësi në aksesimin e të ardhurave të gjeneruara nga blerja e naftës iraniane dhe se SHBA-të do të “vazhdonin të ushtronin presion maksimal mbi Iranin”.
SHBA-të kanë ndërmarrë tashmë përpjekje të tjera për të rritur furnizimin, duke përfshirë lirimin e miliona fuçive rezerva nafte dhe pezullimin e disa sanksioneve ndaj naftës ruse javën e kaluar.
Ky vendim i dytë shkaktoi reagime të forta nga udhëheqësit në Evropë, të cilët thanë se do të forconte regjimin e Presidentit Vladimir Putin dhe do të zgjaste luftën në Ukrainë.
Rreth një e pesta e 100 milionë fuçive naftë që bota konsumon çdo ditë zakonisht udhëton nëpërmjet Ngushticës së Hormuzit, e cila shtrihet përgjatë një pjese të bregdetit të Iranit. Por që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit, transporti detar në kanal është ndalur.
Ndërsa disa nga fuçitë që transportohen përmes ngushticës janë ridrejtuar me sukses, ekspertët ende vlerësojnë se lufta ka nxjerrë nga tregu rreth një të dhjetën e furnizimit botëror.
Shqetësimet në lidhje me situatën janë rritur, pasi sulmet dëmtuese “dhëmbë për dhëmbë” në një fushë kyçe gazi të operuar nga Irani dhe Katari rrisin rrezikun që kapaciteti për furnizimin me lëndë djegëse fosile mund të kufizohet për vite me radhë, edhe nëse konflikti zgjidhet relativisht shpejt./mxh
