Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaruan sot se respektojnë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të respektojnë vendimin e gjykatës.
“Ne e respektojmë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, deklaroi një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për “Radio Evropa e Lirë”.
Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi se SHBA-ja mbështet drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre, ndërsa ritheksoi angazhimin për llogaridhënien, procesin e rregullt ligjor dhe sundimin e ligjit.
Uashingtoni u bëri thirrje gjithashtu të gjitha palëve të shmangin retorikën nxitëse pas shpalljes së aktgjykimit.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë i shpallën katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mbrojtja ka paralajmëruar se do ta apelojë vendimin./mxh
