Last Updated on 19/04/2026 by EL
SHBA – Tetë fëmijë, të moshave nga 1 deri në 14 vjeç, janë vrarë nga disa të shtëna me armë në Shreveport në Louisiana, ngjarje që policia e ka cilësuar si “konflikt familjar”.
Sipas autoriteteve, të shtënat ndodhën rreth orës 05:00 të mëngjesit (ora lokale), kur një person i vetëm hapi zjarr ndaj 10 personave. Më pas, policia e ndoqi autorin e dyshuar dhe e vrau gjatë ndjekjes, ndërsa ai po përpiqej të largohej.
Kryetari i Shreveport, Tom Arceneaux, tha se kjo është një tragjedi që ka prekur gjithë qytetin: “Kemi familje të shkatërruara, policë të lënduar dhe punonjës të emergjencës të tronditur. E gjithë komuniteti po vuan së bashku me këto familje.”
Policia nuk ka bërë publik emrat e viktimave apo të autorit, por ka konfirmuar se disa nga fëmijët e vrarë ishin të afërm të tij.
Ngjarja ka ndodhur në disa vende të ndryshme brenda qytetit, përfshirë dy shtëpi në të njëjtën lagje dhe një tjetër në një zonë tjetër.
Policia tha se fillimisht u njoftua për një incident në një banesë pak para orës 06:00 dhe aty u gjetën fëmijët e vrarë. Hetimet tregojnë se situata ka qenë me natyrë familjare dhe se një prej të plagosurve kishte arritur të largohej në një shtëpi tjetër aty pranë.
Pas të shtënave, autori vodhi një makinë dhe u përpoq të ikte, por u ndoq nga policia dhe u vra gjatë ndjekjes.
Shefi i policisë së Shreveport, Ëayne Smith, tha se është e vështirë të kuptohet një ngjarje e tillë dhe se hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me policinë e shtetit të Louisiana dhe agjenci të tjera.
Autoritetet kanë bërë thirrje për durim, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen./et
