Delegacionet e Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Rusisë kanë rënë dakord për shkëmbimin e 314 të burgosurve, njoftoi i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, përmes një postimi në rrjetin social X.
Sipas Witkoff, ky është shkëmbimi i parë i të burgosurve pas pesë muajsh dhe është arritur si rezultat i bisedimeve të paqes, të cilat ai i cilësoi si të detajuara dhe produktive. Ai theksoi se, ndonëse mbetet ende shumë punë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, hapa të tillë tregojnë se angazhimi i vazhdueshëm diplomatik po jep rezultate konkrete.
Bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara u zhvilluan në Abu Dhabi. Kryenegociatori i Ukrainës i quajti produktive takimet e ditës së parë, ndërsa më herët presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte deklaruar se Kievi priste që këto negociata të çonin në një shkëmbim të ri të burgosurish.
Steve Witkoff bëri të ditur se diskutimet do të vijojnë edhe në javët në vijim, me pritshmëri për përparim të mëtejshëm. Ai falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe për organizimin e takimeve, si edhe presidentin Donald Trump për, siç u shpreh ai, rolin udhëheqës në arritjen e kësaj marrëveshjeje.
Ndërkohë, ende nuk janë bërë publike detajet se sa të burgosur do të shkëmbejë secila palë. Shtëpia e Bardhë nuk ka reaguar menjëherë ndaj kërkesave për koment./mxh
