Aeroplanë dhe personel ushtarak amerikan u panë në ish-bazën detare Roosevelt Roads në Ceiba, Porto Riko, ndërsa tensionet mes administratës së presidentit amerikan Donald Trump dhe qeverisë së presidentit venezuelian Nicolas Maduro janë në rritje.
Më herët këtë muaj, Trump urdhëroi një “bllokadë” ndaj të gjitha naftëtarave të sanksionuara që hyjnë ose dalin nga Venezuela, në një përpjekje për të rritur presionin mbi presidentin Maduro.
Administrata amerikane ka akuzuar Venezuelën për dërgim të drogës drejt Shteteve të Bashkuara dhe prej muajsh ka bombarduar anijet që dyshohet se transportonin drogë nga Amerika e Jugut. Veprimet e SHBA-së janë dënuar nga shumë vende, të cilat i konsiderojnë si vrasje jashtë ligjit.
Presidenti Trump ka kërcënuar shpesh se mund të fillojë sulme ajrore ndaj infrastrukturës së drogës në tokë dhe gjithashtu ka autorizuar operacione të fshehta të CIA-s të drejtuara ndaj Karakasit.
Vetëm këtë muaj, Garda Bregdetare e SHBA-së ka ndaluar dy tankerë në Detin Karaibe, të dy plot me naftë venezueliane, ndërsa tensionet mes dy vendeve mbeten të larta dhe situata mund të përshkallëzohet në ditët në vijim./mxh
