Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi të mërkurën (4 mars) se Shtetet e Bashkuara po fitojnë luftën kundër Iranit dhe se operacioni ushtarak do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Duke folur para mediave, Hegseth tha se vetëm Shtetet e Bashkuara mund të udhëheqin një operacion të tillë, duke e cilësuar bashkëpunimin me Forcat e Mbrojtjes së Izraelit si “shkatërrues” për kundërshtarët iranianë.
“Jemi vetëm katër ditë në këtë operacion dhe rezultatet kanë qenë të jashtëzakonshme, historike. Amerika po fiton, në mënyrë vendimtare dhe shkatërruese,” u shpreh ai.
Sipas Hegseth, operacioni ushtarak u nis herët të shtunën nën urdhrin e drejtpërdrejtë të Presidentit amerikan, Donald Trump. Ai theksoi se situata në terren është ende në zhvillim, me forca shtesë që po mbërrijnë dhe me objektivin për të garantuar suksesin e plotë të misionit.
“Do të marrim gjithë kohën e nevojshme për t’u siguruar që të kemi sukses,” deklaroi kreu i Pentagonit, duke shtuar se Irani do ta kuptojë shumë shpejt forcën e veprimit amerikan.
Deklaratat vijnë në një moment përshkallëzimi të fortë të tensioneve në Lindjen e Mesme, ndërsa Uashingtoni sinjalizon se është i vendosur të vazhdojë operacionet ushtarake kundër objektivave iraniane./MXH
