Kryeministri i Mbretëria e Bashkuar, Keir Starmer, deklaroi të mërkurën (4 mars) se Britania duhet të ruajë qetësinë përballë përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, duke theksuar se mbrojtja e qytetarëve britanikë mbetet prioriteti kryesor.
Duke folur në Parlament, në House of Commons, Starmer tha se situata është “jashtëzakonisht serioze” dhe se i gjithë vendi është i shqetësuar për mundësinë e përshkallëzimit, si dhe për ndikimin që konflikti mund të ketë në jetën e përditshme, veçanërisht në çështjet e energjisë.
Ai bëri të ditur se forcat britanike kanë ndërmarrë veprime konkrete për të reduktuar kërcënimet në rajon, përfshirë avionë luftarakë në ajër që interceptojnë sulme, dislokim kapacitetesh ushtarake në Qipro dhe lejimin e avionëve amerikanë të përdorin bazat britanike për të goditur kapacitetet raketore të Iranit.
Starmer theksoi se nuk ishte i gatshëm që Britania të përfshihej drejtpërdrejt në luftë pa një bazë të qartë ligjore dhe një plan të mirëpërcaktuar. “Ky mbetet qëndrimi im”, u shpreh ai.
Kryeministri britanik nënvizoi gjithashtu se bashkëpunimi ushtarak me Shtetet e Bashkuara dëshmon “marrëdhënien speciale” mes dy vendeve. Ai tha se avionët amerikanë po operojnë nga baza britanike, ndërsa avionët britanikë po rrëzojnë dronë dhe raketa për të mbrojtur jetë amerikane në Lindjen e Mesme.
Deklaratat e Starmer vijnë pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kritikuar mbështetjen e kufizuar të Londrës ndaj sulmeve amerikane kundër Iranit.
Sipas Starmer, Britania ka bashkërenduar ngushtë me SHBA-të për para-dislokimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore, sistemeve kundër dronëve dhe avionëve luftarakë F-35 në rajon. Ai shtoi se misione të tjera ajrore janë kryer gjatë natës dhe se një anije luftarake britanike do të dislokohet në Mesdhe, në kuadër të marrëveshjeve me Uashingtonin për mbrojtjen e qytetarëve britanikë./MXH
