Drejtoresha e Përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, tha se pas përballjes me kriza të njëpasnjëshme vitet e fundit, bota duhet të ndërtojë themele që mund t’u rezistojnë goditjeve, të cilat janë bërë më të shpeshta.
“Jam e shqetësuar se ende nuk po e kuptojmë plotësisht se kështu do të jetë bota,” tha Georgieva në podcast-in e Bloomberg, Leaders with Francine Lacqua.
“Nuk do të arrijmë në një pikë ku goditjet do të zhduken.”
Georgieva, e cila ka qenë në krye të institucionit me seli në Uashington që nga viti 2019, është përballur me pandeminë Covid, luftën në Ukrainë, trazirat rreth tarifave dhe tani konfliktin në Lindjen e Mesme. FMN-ja ka një kapacitet huadhënës prej pak më pak se 1 trilion dollarësh dhe detyra e saj — siç e përshkroi ajo — është t’i mbajë 191 anëtarët e fondit të fokusuar në bashkëpunimin për të mirën më të madhe të ekonomisë botërore.
Një transformim i madh që është duke ndodhur është përhapja e inteligjencës artificiale dhe ndikimi i saj në tregjet e punës dhe ekonomitë lokale. Georgieva tha se organizata, përfshirë edhe atë që ajo drejton, nuk arritën të dallonin pabarazitë që lindën nga globalizimi, dhe ajo dëshiron të sigurohet që kjo të mos ndodhë me inteligjencën artificiale.
“Ne kolektivisht, përfshirë edhe fondin, nuk e vlerësuam sa duhet reagimin kundër globalizimit, i cili erdhi nga fakti se, po, ekonomia botërore po ecte më mirë në tërësi, por shumë komunitete u boshatisën, sepse vendet e tyre të punës u zhdukën dhe nuk iu kushtua vëmendje e mjaftueshme,” tha ajo.
“Do t’ju them se ajo që dua shumë të mos shoh të përsëritet është e njëjta gjë me inteligjencën artificiale.”
Fondi do të përditësojë parashikimin e tij për ekonominë globale në korrik, pasi në prill uli parashikimin e rritjes ekonomike për këtë vit për shkak të luftës në Lindjen e Mesme. Ky institucion huadhënës kryen gjithashtu rishikime vjetore ekonomike të vendeve anëtare, ndër raporte të tjera, në kuadër të mandatit të tij mbikëqyrës.
Vlerësimi për Rusinë
Në vitin 2024, dy vjet pasi Rusia pushtoi Ukrainën, FMN-ja njoftoi se do të rifillonte rishikimin e saj vjetor të ekonomisë ruse — të ashtuquajturin Artikulli IV — për herë të parë që nga fillimi i luftës.
Plani u prit me reagime kundërshtuese nga disa vende të Bashkimit Evropian, të cilat e sfiduan Georgievën për këtë vendim. Ato thanë se angazhimi me Rusinë për çështje ekonomike do t’i jepte legjitimitet përpjekjeve të Kremlinit për t’iu shmangur sanksioneve.
“Ishte një moment shumë i ndërlikuar, sepse bombardimet po zhvilloheshin në të dyja drejtimet. Ne vendosëm ta shtynim,” tha ajo. “Duhet të mbledhim të dhëna për tregtinë, importet dhe eksportet. Rusia ishte shumë ngurruese për t’i dhënë këto të dhëna.”
Ajo shtoi se “në një moment do të rifillojmë vlerësimin e rregullt,” pa dhënë hollësi për kohën.
Fondi ka mbështetur Kievin me financime të lidhura me reforma kyçe që nga pushtimi rus, me dy programe: 15.6 miliardë dollarë në vitin 2023 dhe 8.1 miliardë dollarë këtë vit./ Bloomberg-A.D
