Një tragjedi e rëndë ka goditur Republikën Demokratike të Kongos, ku të paktën 70 punëtorë humbën jetën pas shembjes së një galerie në minierën Kawama.
Ngjarja ndodhi në zonën minerare të Kolwezi-t, në provincën Lualaba. Sipas raportimeve të mediave, një pjesë e madhe e dheut rrëshqiti, duke zënë poshtë dhjetëra minatorë.
Ekipet e shpëtimit mbërritën menjëherë në vendngjarje, por operacionet po vështirësohen nga terreni i paqëndrueshëm. Autoritetet lokale kanë paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet.
Shkaku i shembjes ende nuk është konfirmuar, por dyshohet se lidhet me gërmime të pakontrolluara. Miniera Kawama njihet për standarde të ulëta sigurie dhe punë të rrezikshme.
Familjarët e punëtorëve të zhdukur janë mbledhur pranë zonës, duke kërkuar informacion. Organizatat e të drejtave të njeriut kanë bërë thirrje për hetim të plotë dhe përmirësim të kushteve të punës në sektorin minerar. Kjo ngjarje nxjerr edhe një herë në pah rrezikun e madh me të cilin përballen minatorët në vendin afrikan çdo ditë./kb
