Nga Artan Fuga
Herbert Spenseri është veçse nga themeluesit e sociologjisë si një përqasje e re e dijes, por ndoshta edhe një nga mendjet më të mprehta, të kultivuara dhe erudite në shkencat sociale të Anglisë të shekullit të 19-të.
Pa u endur në mendimin e tij që kap horizonte të gjëra, nuk di përse më erdhi këto ditë në mendje kritika therrëse që ai i bënte absuzimit me parimin e shumicës, si kriteri absolut, i marrjes së vendimeve për ushtrimin e pushtetit.
M’u kujtua kritika e tij kundër “shenjtërisë së parimit të shumicës që gjoja legjitimon çdo vendim.
Herbert Spenseri theksonte se në kohën e tij, në Anglinë e shekullit të 19-të, politikanë, lloj lloj *demagogësh, teoricienë të ndryshëm, se analistët e televizioneve atëhere nuk ekzistonin, pretendonin se përderisa parlamenti merr vendime me shumicë votash, ato vendime pastaj janë të padiskutueshme, janë legjitime për t’u bërë ligje.
Cfarë është ky legjitimitet i padiskutueshëm, i çuar deri në hyjnizim?
Ja me shumicë votash!
Kur një mjek, farmacist, merrte raste konkrete Spenseri, apo edhe qoftë kur dikush që drejton një veturë, bën një gabim, padashje, por me pasoja, ata vihen para ligjit, dënohen edhe me burgime,e me gjoba!
Po, parlamentarët? – pyeste Spenseri. Bëjnë gabime që ndoshta marrin më qafë një komb, ekonominë, shtresa shoqërore, po a vihen para ligjit për dëmet që kanë sjellë?
Jo, ata e quajnë veten të pandëshkueshëm.
Po, pse? – pyet Spenseri. Ka edhe një arsye historike – vazhdon ai.
Pushteti në Mesjetë e konsideronte veten si të dërguarin e Zotit mbi Tokë. Mitologji ose jo, duke i besuar, kishte arsye që ai pushtet ta quante veten të pagjykueshëm nga njerëzit.
Por, këta parlamentarët e tanishëm ! – vazhdonte Herbert Spenseri. Thonë se vijnë nga vota e njerëzve, jo nga vullneti i Zotit. Por vazhdojnë si më parë të ruajnë paprekshmërinë e vendimeve të tyre sikur të ishin të dërguarit e Zotit mbi Tokë.
Ky është paradoksi – përfundonte ai – me cinizimin e shëndoshë prej britaniku. Përmbajtja ka ndryshuar, është shekullarizuar, kurse forma mbetet përsëri hyjnore.
Kujtojnë se janë mëkëmbësit e Zotit mbi tokë!
Kur mendon se çfarë ligjesh të rrënueshme janë bërë dhe bëhen, dhe askush nuk vihet para ligjit! Mjafton të kujtojmë Ligjin për Tokën që e shkatërroi njëherë e përgjithëmonë ekonominë shqiptare. Mjafton ligjet për tenderimet që e zhytën Shqipërinë në llucën e korrupsionit. Kush përgjigjet për to e sa të tjera? Askush.
Shoferi dënohet për parkim dysh, por jo deputeti që ka votuar ligje me pasoja shkatërruese.
Spenseri vazhdon:
Supozojmë se kemi një shoqatë miqsh të librit. Në një çast, shefat vendosin ta përdorin atë shoqatë për ta bërë një bandë hajdutësh. Disa, një pakicë, kundërshton! Por, shumica është dakord. Vendimi merret. Me shumicë votash. Por, a është e ligjshme? Kush ka të drejtë ? Shumica, apo pakica që kundërshton? Sigurisht pakica që nuk pranon të merren vendime që s’kanë të bëjnë me qëllimin dhe kompetencat e shoqatës, sepse në atë organizatë ata janë mbledhur për të lexuar e komentuar libra, jo për të vjedhur, grabitur e sulmuar të tjerë dhunshëm.
Ta zemë deputetët votojnë në shumicë që të rrisin në stratosferë pagat e tyre dhe privilegjet e tjera që kanë? A është legjitime kjo shumicë për ta bërë të drejtë vendimin?
Spenseri sigurisht do të thoshte : Jo! Sepse ata votojnë në konflikt të hapur interesi, Ska këtu shumicë a pakicë. Këtu ka “O Mete për vete!”
Merret një vendim gjoja me shumicë votash, ku deputetët e një partie votojnë ta zemë me 75 – 85 vota “pro” një vendimi. Ta zemë pakica që i përket një partie voton “kundër” me 45 – 55 vota? A kemi këtu një raport shumice – pakicë?
Këtë pyetje artikulon mendimi i Spenserit. Në një farë kuptimi, si numra, mbase “Po”. Por, po ta analizojmë në thelb çështja nuk është kaq e thjeshtë. Kjo, sepse votat janë ndarë sipas partive, me urdhër, me detyrim, me shtrëngesa brenda secilës parti. Deputetët nuk janë të lirë tëvotojnë sipas vullnetit të tyre.
Aq më pak ata nuk kanë vajtur të pyesin elektoratin e tyre për mënyrën si do të votojnë. Ata janë të shkëputur nga zgjedhësit që i kanë votuar.
Rezultati është “një me një”. Njëra parti kundër tjetrës.
Shumica përbën një njësi, pakica një njësi. Votimi është me rezultat të barabartë.
Aq më shumë kur votohet për çështje që deputetët nuk marrin vesh, nuk ja kanë haberin fare, nuk janë specialistë, madje kanë nivel shpesh më të ulët se edhe specialisti më i zakonshëm i asaj fushe.
A ka vlerë se je shumicë a pakicë nëse deputetët duhet të marrin vendim ta zemë për formacionin e ekipit kombëtar të futbollit, për llojet e medikamenteve kundër hemoroideve, për llojin dhe sasinë e betonit të urave që ndërtohen, a ku e di unë për çfarë tjetër, ku nuk kanë asnjë pikë kompetence”?
A mund të quhet ai ligj, vendim, a trajtim i pakritikueshëm vetëm se ka marrë shumicë votash? A mund të quhet i padiskutueshëm nga ana logjike? Aspak thotë Herbert Spenseri.
Eshtë njësoj, po aq absurd, sa edhe atë vendim ta merrte një tiran, diktator, apo çdokush tjetër me vullnet imponues.
Sigurisht Spenseri nuke përjashton aspak parimin e votimit dhe marrjes së vendimeve sipas shumicës, por thotë ai, vetëm për çështje që shumica ka marrë mandatin nga elektorati që e ka bërë shumicë, për gjëra shumë thelbësore, dhe sidomos jo për çështje të veçanta për të cilat deputetët janë po aq parimisht të paditur dhe jo kompetentë sa edhe lypsari më i pashkolluar.
