Një grup alpinistësh Sherpa kanë arritur të rihapin rrugën drejt majës së Mount Everest, e cila kishte mbetur e bllokuar për rreth dy javë nga masa të mëdha akulli dhe një serak gjigant.
Sipas autoriteteve, sezoni i ngjitjeve në malin më të lartë në botë, që nis në prill dhe zgjat deri në maj, është periudha e vetme kur kushtet atmosferike lejojnë përpjekjet drejt majës 8,849 metra të lartë. Megjithatë, këtë muaj, një kolonë akulli rreth 30 metra e lartë kishte bllokuar plotësisht kalimin mbi kampin bazë.
Sherpat e njohur si “mjekët e akullit” kanë ndërhyrë duke vendosur litarë, shkallë dhe duke hapur një shteg të sigurt përmes zonës së rrezikshme të Khumbu Icefall, duke arritur deri në Kampin I në lartësinë 6,060 metra.
Më shumë se 100 alpinistë nga vende të ndryshme të botës kishin mbetur të bllokuar në kampin bazë për më shumë se dy javë, në pritje të hapjes së rrugës për të nisur ngjitjen drejt majës në javët në vijim.
Autoritetet e ekspeditave bëjnë të ditur se tashmë është hapur një dritare e rëndësishme për përpjekjet drejt majës së Everestit, ndërsa sezoni i ngjitjeve pritet të hyjë në fazën më intensive gjatë majit./mxh
