Last Updated on 23/04/2026 by EL
Një sherr mes fqinjësh në zonën e Trevisos në Italinë fqinje ka dalë totalisht nga kontrolli kur një 70-vjeçar tentoi të përplasë me eskavator fqinjin e tij, një 50-vjeçar me origjinë shqiptare, madje arriti ta ngrejë në në ajër me kovën e mjetit.
Ngjarja ka ndodhur në Paese, ku sipas mediave italiane, gjithçka nisi pas një tjetër debati mes tyre, që në fakt zgjat prej vitesh. Në kulmin e nervave, i moshuari hipi në eskavator dhe fillimisht tentoi ta godiste fqinjin. Më pas, situata u bë edhe më e rrezikshme kur e kapi me kovën e eskavatorit dhe e ngriti rreth 3 metra mbi tokë.
Kanë qenë britmat e personave të pranishëm që e detyruan 70-vjeçarin ta ulte poshtë 50-vjeçarin, i cili është sipërmarrës ndërtimi.
Por historia nuk mbaron këtu. Kur në vendngjarje mbërriti policia dhe i kërkoi të moshuarit t’i ndiqte në komisariat, ai reagoi keq. I kërcënoi dhe i sulmoi fizikisht efektivët, madje një prej tyre u godit me shkelm.
Në fund, prangat ishin të pashmangshme. 70-vjeçari u arrestua për dhunë dhe kundërshtim të forcave të rendit. Të nesërmen ai doli para gjykatës, e cila konfirmoi arrestimin dhe vendosi ndaj tij masën “detyrim paraqitje” çdo ditë në polici. Seanca e radhës është caktuar për në 26 shtator.
Konflikti mes dy fqinjëve nuk është i ri. Sipas dëshmive, gjithçka ka nisur rreth dy vite më parë, pas një problemi me kufirin e pronës, tubacionet e gazit dhe hyrjen për mjetet. 50-vjeçari shqiptar pretendon se ka qenë edhe më herët objekt i dëmtimeve dhe “ngacmimeve” nga ana e fqinjit.
Edhe ditën e incidentit, shkak u bënë disa pengesa të vendosura në hyrje, që më pas çuan në përplasjen e fortë që për pak përfundoi në tragjedi./ET
