Last Updated on 30/10/2026 by Anisa
Shkruan Mentor Kikia
Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë
Njëri është i rrjedhur, tjetri është i marrë
Kur shikon nivelin e lartë të korrupsionit të qeverisë, bindesh se ky vend nuk ka nevojë për ndërrimin e qeverisë, por për shkuljen nga themeli të një sistemi që ka bërë bashkë, politikën, pushtetin, shtet, biznesin dhe krim.
Kur shikon alternativat opozitare, bindesh dhjetë herë më shumë se nuk duhet shkulur vetëm sistemi shtet-pushtet, por e gjithë “kooperativa” politike.
Mbrëmë, Blendi Fevziu kishte ftuar në studio, përveç disa gazetarëve dhe aktivistëve në protestë, tre politikanë: Gazmend Bardhin, PD, Agron Shehaj, “Mundësia”, Adriatik Lapaj, “Shqipëria Bëhet”.
Pyetja ishte: A mund të bëheni të gjithë bashkë; parti opozitare, qytetarë opozitarë, protestues, për të rrëzuar qeverinë?
Përgjigja:
Agron Shehaj: Ne e kemi thënë, nuk bashkëpunojmë me politikën e vjetër, ne kemi parimet tona, kemi ideologjinë tonë, strategjinë tonë, ne do ecim përpara. Pra, jo, nuk bashkëpunon.
Bardhi & Lapaj: O plehrë, o mashtrues, o gënjeshtar, qepe të thashë, pusho more, kujt i thua ti pusho, mor mashtrues… ju jeni me Ramën, jo jo, ju jeni me Ramën…
Një sherr ordiner, që të bën të thuash, sa mirë që nuk bashkëpunojnë se pale mund të vijnë vërtet në pushtet.
Mungonte Arlind Qori, për të plotësuar pazëllin. Arlindi, meqë nuk ishte në studio, hodhi një video në rrjet për të treguar se përse nuk e ka ftuar Fevziu. Në video shfaqej Arlindi në studion e Opinionit, duke akuzuar Fevziun se merr para nga një sipërmarrës që denonconte Arlindi. Nuk la gjë pa i thënë.
Tani, Arlindi ka nxjerrë mbështetësit e vet që kërkojnë llogari, pse nuk ftohet Arlindi në Opinion. Por, nëse mendon se ai program është i korruptuar, përse kërkon të shkosh atje? Madje, edhe po të të ftonte Fevziu nuk duhej të shkoje. Këto quhen parime politike.
A nuk është njësoj sikur ti thuash Ramës pse s’më bën ministër, pasi e akuzon tërë ditën si të korruptuar?
Po ia marr këngës më mirë…..
Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë?
Njëri është i rrjedhur, tjetri është i marrë
Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë?
Njëri po na rrjep, tjetri na merr zvarrë
Nënë Shqipëri, sytë ç’më kanë parë..
