Ekonomia e Britanisë së Madhe ka shënuar rritje të papritur gjatë muajit mars, duke përmbyllur një tremujor të parë më të fortë se sa pritej, pavarësisht shqetësimeve të shkaktuara nga përshkallëzimi i luftës në Iran dhe ndikimi i saj në tregjet globale.
Sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare Office for National Statistics, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 0.3% në mars, në kundërshtim me parashikimet e analistëve që prisnin një rënie prej 0.2%.
Rritja u mbështet nga performanca e fortë në sektorin e shërbimeve, ndërtimit dhe industrisë prodhuese, ndërsa ekonomia në tërësi u zgjerua me 0.6% në tremujorin e parë të vitit.
Megjithatë, ekspertët ekonomikë paralajmërojnë se këto shifra mund të jenë të ndikuara nga luhatje sezonale dhe mënyra e matjes së të dhënave pas pandemisë, të cilat mund të japin një pamje më të favorshme sesa realiteti ekonomik.
Ekonomisti i ING, James Smith, tha se ka probleme me rregullimin sezonal të të dhënave dhe se kjo mund të lidhet me inflacionin e lartë dhe ndryshimet në çmimet vjetore.
Ndërkohë, Banka e Anglisë pritet të mbajë normat e interesit në nivelin 3.75%, edhe pse disa analistë nuk përjashtojnë rritje të mëtejshme për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë të nxitura nga kriza në Iran.
Ministrja e Financave, Rachel Reeves, deklaroi se të dhënat tregojnë se qeveria ka ndjekur drejtimin e duhur ekonomik.
Të dhëna të tjera tregtare treguan gjithashtu një rritje të ndjeshme të importeve të karburanteve, duke reflektuar varësinë e ekonomisë britanike nga tregjet globale të energjisë në një periudhë pasigurie të shtuar ndërkombëtare./mxh
