Last Updated on 27/10/2026 by Anisa
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur bashkimin e kompanive Progeen dhe Bami fitues të tenderit për ndërtimin e parkimit nëntokësor në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë. Projekti, me një fond limit prej 22.5 milionë eurosh, do të realizohet për vlerën prej 1.63 miliardë lekësh pa TVSH, ose rreth 17.5 milionë euro.
Kontrata parashikon realizimin e projektit me çelësa në dorë, ndërsa gara është zhvilluar mes disa operatorëve ekonomikë, tre prej të cilëve kishin paraqitur oferta me vlerë më të ulët se ajo e shpallur fituese.
Tre oferta më të ulëta se ajo fituese
Në këtë procedurë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka përdorur kriterin e ofertës ekonomikisht më të favorshme, ku çmimi përbënte 60% të vlerësimit, ndërsa 40% e pikëve lidhej me kritere të tjera, përfshirë kapacitetet organizative, stafin, periudhën e garancisë dhe fondin e sigurisë në kantier.
Bashkimi i kompanive Ferro Beton dhe Nova Construction Group, që kishte paraqitur ofertën më të ulët prej 1.31 miliardë lekësh, u skualifikua për shkak të mospërmbushjes së kërkesave për numrin minimal të sondave të shpimit dhe vibratorëve të betonit.
Ndërkohë, Agi Kons, me ofertë prej 1.41 miliardë lekësh, u eliminua pasi, sipas vlerësimit të komisionit, kishte deklaruar të njëjtët inxhinierë dhe kamionë edhe në një procedurë tjetër tenderimi, duke ngritur problematika lidhur me disponueshmërinë e kapaciteteve.
Edhe kompania 4 A-M, me ofertë prej 1.6 miliardë lekësh, kishte paraqitur një çmim më të ulët se konsorciumi fitues. Megjithatë, ajo nuk arriti të marrë pikë të mjaftueshme për t’u shpallur fituese.

Parkim me 170 vende dhe muze arkeologjik nëntokësor
Projekti teknik, i hartuar nga studiot Tower dhe iGroup, parashikon një transformim të rëndësishëm të sheshit “Nënë Tereza”, me një strukturë nëntokësore në tri nivele dhe një sipërfaqe totale ndërtimi prej 22,078 metrash katrorë.
Sipas projektit, sheshi do të kthehet në një hapësirë pedonale, pa automjete, ndërsa trafiku do të zhvendoset nën tokë përmes tri rampave me dy korsi dhe pjerrësi 15%, të lidhura me një unazë qarkullimi nëntokësore.
Në strukturën e re parashikohet një parkim me 170 vende, një muze arkeologjik me sipërfaqe prej rreth 6,000 metrash katrorë, hapësira shërbimi dhe një kapelë nëntokësore kushtuar Nënë Terezës.
Projekti përfshin gjithashtu një holl pritjeje dhe biletari për muzeun, një bar-restorant dhe një shesh publik të zhytur, të aksesueshëm përmes rampave dhe shkallëve monumentale.

Shatërvane dhe hapësira të reja publike
Ndërhyrja arkitekturore parashikon edhe instalimin e tri shatërvaneve interaktive dhe lineare, të ndriçuara me sistem LED, si dhe krijimin e hapësirave të reja publike.
Një tjetër element i projektit është ndërtimi i një pusi vertikal me kapakë metalikë pranë Presidencës, i parashikuar për futjen e artefakteve të rënda.
Me realizimin e këtij projekti, synohet që automjetet të largohen nga sipërfaqja e sheshit, duke krijuar një hapësirë më të madhe për këmbësorët dhe duke integruar parkimin, muzeun dhe shërbimet në një strukturë nëntokësore./ad
