Një operacion i madh ndërkombëtar, i mbështetur nga Eurojust dhe Europol, ka çuar në goditjen e një rrjeti kriminal që mashtronte pacientë në të gjithë Europën përmes shitjes së suplementeve dhe ilaçeve të falsifikuara. Në operacion morën pjesë autoritetet e 15 vendeve, ndërsa grupi dyshohet se ka përfituar rreth 240 milionë euro nga aktiviteti i paligjshëm.
Sipas hetimeve, organizata kriminale ishte aktive që prej vitit 2019 dhe operonte në mënyrë të mirëorganizuar, duke ngritur kompani fiktive për të tregtuar më shumë se 400 produkte të paautorizuara. Përmes qindra faqeve online dhe profileve të rreme në rrjetet sociale, anëtarët e rrjetit përdornin emra personazhesh të njohur dhe “mjekë” të rremë për të bindur pacientët se produktet e tyre mund të kuronin sëmundje serioze, madje edhe të pashërueshme.
Hetimet zbuluan se viktimat kontaktoheshin nga operatorë të qendrave telefonike, të cilët prezantoheshin si specialistë mjekësorë dhe ushtronin presion për blerjen e produkteve mashtruese. Në disa raste, pacientët dyshohet se ndërprenë trajtimet e rekomanduara nga mjekët e tyre, duke vënë në rrezik serioz shëndetin.
Hetimi nisi nga autoritetet në Romania pas denoncimeve të para dhe më pas zbuloi një rrjet të gjerë ndërkombëtar që përdorte kompani legjitime në vende të ndryshme europiane për të fshehur aktivitetin kriminal.
Autoritetet europiane u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të blejnë barna vetëm në farmaci online të regjistruara dhe të verifikuara nga institucionet përkatëse, për të shmangur rrezikun nga produktet e falsifikuara./A.D
