Aktorja italiane Manuela Arcuri dhe partneri i saj prej shumë vitesh, Giovanni Di Gianfrancesco, i kanë dhënë fund marrëdhënies së tyre pas 16 vitesh së bashku dhe 4 vitesh martesë. Ndarja është bërë me marrëveshje të përbashkët, duke përfshirë edhe një mbështetje mujore prej rreth 6,000 eurosh për aktoren.
Nga pikëpamja ligjore, bëhet fjalë për një ndarje konsensuale, një zgjedhje që synon të shmangë konfliktet dhe të rregullojë në mënyrë të qartë aspektet financiare dhe familjare.
Në një intervistë për emisionin Verissimo, Arcuri shpjegoi se ndarja nuk erdhi si pasojë e tradhtisë apo ndërhyrjeve nga palë të treta, por nga një krizë e ndërtuar me kalimin e kohës.
“Na mungonte vëmendja. Kur fillon ta marrësh gjithçka si të mirëqenë, është fillimi i fundit,” u shpreh ajo, duke theksuar se komunikimi i dobët dhe rutina kishin ndikuar ndjeshëm në marrëdhënie.
Aktorja pranoi gjithashtu se për një periudhë të gjatë ata ishin fokusuar kryesisht tek djali i tyre, duke lënë pas dore raportin si çift.
Megjithatë, në një dalje tjetër në programin Le Iene, Arcuri ndau një përjetim shumë personal dhe të dhimbshëm, që lidhet me tradhtinë e një mikeje të ngushtë.
Ajo rrëfeu se një person të cilit i kishte besuar sekretet, frikërat dhe dobësitë e saj, i kishte përdorur këto informacione për t’iu afruar ish-bashkëshortit të saj.
“E përjetova si një humbje, si një zi,” tha aktorja, duke shtuar se kjo tradhti ishte më e rëndë se çdo tradhti në çift, pasi për të miqësia është një lidhje e shenjtë. “Ndoshta një dashuri mund të falet, por një shoqe kurrë. Sidomos kur përpiqet të të marrë burrin.”/mxh
