Autoritetet në Korenë e Jugut kanë ndërmarrë një operacion të gjerë kërkimi pas arratisjes së një ujku nga kopshti zoologjik Daejeon O World, duke mobilizuar më shumë se 100 forca të policisë, zjarrfikësve dhe ushtrisë.
Sipas zyrtarëve të kopshtit zoologjik, ujku mashkull rreth dy vjeç, i quajtur Neukgu dhe me peshë rreth 35 kilogramë, dyshohet se ka arritur të dalë nga rrethimi duke gërmuar poshtë gardhit.
Pamje nga kamera termike dhe video survejimi tregojnë kafshën duke lëvizur në një zonë kodrinore pranë parkut, ndërsa ekipet e kërkimit kanë vijuar operacionin gjatë gjithë ditës.
Autoritetet kanë konfirmuar se kafsha është parë për herë të fundit në perimetrin e jashtëm të kopshtit zoologjik, ndërsa terreni i vështirë ka komplikuar përpjekjet për kapjen e saj.
Sipas raportimeve, koordinatat e zonës së kërkimit përputhen me pamjet satelitore të terrenit përreth parkut, duke ndihmuar në verifikimin e vendndodhjes së ujkut të arratisur.
Operacioni i kërkimit vazhdon, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën derisa kafsha të kapet në mënyrë të sigurt./mxh
