Last Updated on 10/06/2026 by Kesjana
Shqipëria po përballet me një krizë të thellë demografike ku shifrat zyrtare të INSTAT për 1 janarin 2026 dëshmuan një transformim të strukturës së popullsisë.
Në fillim të këtij viti, numri i banorëve ra në 2.335.930, duke shënuar një rënie vjetore prej 1.16%, një tregues ky që konfirmon vazhdimësinë e një trendi negativ të nisur prej vitesh.
Shkaku kryesor i këtij shpopullimi mbetet migracioni neto negativ prej 28.531 personash, i cili tejkalon shtesën natyrore të vendit, duke e bërë emigracionin faktorin kryesor për pakësimin e popullsisë.

Po ashtu shoqëria po pëson një proces të përshpejtuar plakjeje. Mosha mediane ka arritur në 45 vjeç, që do të thotë se gjysma e popullsisë është tashmë mbi këtë moshë. Ky fenomen shoqërohet me një rritje të ndjeshme të raportit të varësisë së të moshuarve i cili ka prekur nivelin 35.7%.
Projeksionet e mëparshme të popullsisë sipas grupmoshave për vitet 2019 – 2031, tregojnë një rënie të vazhdueshme të bazës së popullsisë, ndërkohë që grupmoshat e moshuara pritet të rriten ndjeshëm.
Nëse në vitin 2019 grupmosha 85+ numëronte 24.189 persona, projeksionet tregojnë se deri në vitin 2031 kjo shifër do të arrijë në 52.507 persona. Ndërkohë, grupmoshat e reja 0-4 vjeç pritet të bien nga 155.622 në vitin 2019, në 148.036 persona deri në vitin 2031.

Pavarësisht projeksioneve të mëparshme, realiteti aktual tregon një tkurrje shumë më të shpejtë. Nëse ritmet e emigracionit dhe plakjes nuk ndryshojnë, baza e popullsisë në moshë pune do të vijojë të ngushtohet ndjeshëm deri në vitin 2031 dhe më tej./kb
