Last Updated on 29/09/2026 by EL
Platforma e mediave sociale X e Elon Musk javën e kaluar bllokoi gati 500 llogari në Turqi, duke përfshirë ato të gazetarëve, ekonomistëve dhe akademikëve, pas urdhrave të gjykatës turke për të bllokuar profilet, duke përmendur shqetësime për sigurinë kombëtare dhe rendin publik.
Portali turk që monitoron censurën online, EngelliWeb, raportoi lajmin, ndërsa Bloomberg theksoi se, megjithëse X nuk specifikoi arsyen e kufizimeve, urdhrat e gjykatës erdhën pasi platforma e Musk në Turqi u përmbyt me komente mbi krizën e fondeve të investimeve që shpërtheu në mesin e shtatorit, e cila shkaktoi një rënie të tregut të aksioneve dhe çoi në arrestimin e dhjetëra personave si pjesë e një hetimi për manipulimin e tregut.
Midis llogarive të bllokuara janë ato të gazetarëve Ersin Eroglu, Canan Kay dhe medias Kisa Dalga, si dhe ekonomistit Inan Mutlu, profesorit universitar Yaman Akdeniz dhe Veysel Ulusoy, themeluesit të grupit të pavarur të kërkimit të inflacionit Enag. Disa nga llogaritë, kufizimet e të cilave u kërkuan nga gjykatat janë ende të arritshme.
Të paktën 45 persona u arrestuan në Turqi javën e kaluar si pjesë e një hetimi për manipulimin e tregut të nisur pasi fondet nga disa kompani të menaxhimit të aseteve nuk arritën t’i paguanin investitorët që kërkonin të shpengonin kapitalin e tyre.
“Nuk ka rrezik përhapjeje të sistemit tonë financiar”, deklaroi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili do të kryesojë sot një takim mbi situatën me përfaqësuesit kryesorë të institucioneve ekonomike të vendit. 455,758 investitorë mbajnë aksione në 131 fondet në qendër të skandalit që janë urdhëruar të likuidohen, me një vlerë të vlerësuar prej 18 miliardë dollarësh./et
