NATO po ecën përpara me vendosjen e një sistemi tjetër të mbrojtjes ajrore amerikane Patriot në Adana, në jug të Turqisë, mes shqetësimeve të shtuara në lidhje me kërcënimet me raketa nga lufta me Iranin.
Lajmin e ka njoftuar Ministria turke e Mbrojtjes. Vendosja e re ka të bëjë me një zonë ku ndodhet baza Incirlik, e cila strehon personel ushtarak të Shteteve të Bashkuara, si dhe forca nga Katari, Spanja dhe Polonia, përveç trupave turke.
Turqia, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO dhe kufizohet me Iranin, kishte njoftuar javën e kaluar instalimin e një sistemi Patriot në provincën e Malatya-s, pranë një radari të Aleancës, si pjesë e masave për të forcuar mbrojtjen ajrore.
Ministria Turke e Mbrojtjes deklaroi se “përveç masave kombëtare për sigurinë e hapësirës ajrore dhe të qytetarëve tanë, një sistem shtesë Patriot po vendoset në Adana, i cili u vu në funksion nga Komanda Ajrore Aleate në Ramstein të Gjermanisë, duke plotësuar sistemin spanjoll Patriot tashmë ekzistues në rajon”.
Adana është një pikë strategjike thelbësore, pasi aty ndodhet baza Incirlik, e cila përdoret nga forcat aleate për operacione në Lindjen e Mesme më të gjerë. Në të njëjtën kohë, Ankaraja thekson se, pavarësisht përpjekjeve për të zhvilluar sisteme vendase, ende nuk ka një mburojë anti-ajrore të zhvilluar plotësisht.
Si rezultat, është mbështetur në sistemet e NATO-s të vendosura në Mesdheun lindor. Që nga fillimi i luftës, janë rrëzuar tre raketa, të cilat Ankaraja pretendon se u lëshuan nga Irani, gjë që përforcon nevojën për të mbrojtur më tej rajonin. /kb
