Çmimet globale të naftës arritën nivelin më të lartë në katër vitet e fundit, mes shqetësimeve për një përshkallëzim të ri të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe mundësinë e një ndërhyrjeje të re ushtarake nga SHBA.
Sipas raportimeve, Presidenti amerikan Donald Trump është informuar mbi opsionet për një seri sulmesh të synuara ndaj infrastrukturës iraniane, me qëllim rritjen e presionit ndaj Teheranit dhe thyerjen e ngërçit në negociata.
E enjtja u karakterizua nga luhatje të forta në tregjet energjetike, me çmimin e naftës që arriti deri në 126 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga fillimi i pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, përpara se të binte në rreth 114 dollarë.
Rritja u nxit nga raportime se SHBA dhe Izraeli po mbeten në gatishmëri të lartë ushtarake, pavarësisht armëpushimit formal në fuqi. Sipas medias Axios, ushtria amerikane po shqyrton mundësinë e sulmeve “të shkurtra dhe të fuqishme” ndaj objektivave strategjikë në Iran.
Ndërkohë, komandanti i CENTCOM, Admirali Cooper, thuhet se e ka informuar presidentin mbi skenarë të ndryshëm, përfshirë një “sulm përfundimtar”.
Megjithatë, analistët theksojnë se luhatjet e forta të çmimeve lidhen edhe me faktorë teknikë të tregut, si skadimi i kontratave të ardhshme të muajit qershor më 30 prill, siç vëren BBC.
Nga ana tjetër, Donald Trump ka shprehur optimizëm se çmimet e energjisë do të bien ndjeshëm pas përfundimit të konfliktit.
Në planin diplomatik, tensionet mbeten të larta. Uashingtoni raportohet se ka refuzuar një propozim nga Teherani dhe ka sinjalizuar se do të vazhdojë bllokadën detare derisa të arrihet një marrëveshje për programin bërthamor iranian.
Autoritetet iraniane kanë paralajmëruar për masa hakmarrëse nëse presioni vazhdon, duke akuzuar SHBA-të për përpjekje për destabilizim ekonomik dhe politik.
Ndërkohë, të dhënat nga SHBA tregojnë rënie të ndjeshme të rezervave të naftës dhe rritje të eksporteve në mbi 6 milionë fuçi në ditë, duke sinjalizuar një shtrëngim të mëtejshëm të furnizimit global.
Ekspertët paralajmërojnë se pasiguria në tregjet energjetike do të ketë pasoja të gjera ekonomike, duke ndikuar në rritjen e kostove të transportit, plehrave kimike dhe produkteve ushqimore, me efekte të drejtpërdrejta në jetën e përditshme të qytetarëve dhe aktivitetin e bizneseve.
