Shqipëria dhe Serbia e udhëheqin rajonin për sa i përket përfaqësimit të grave në pozicione drejtuese, sipas të dhënave nga Eurofound (Fondacioni Europian për Përmirësimin e Kushteve të Jetesës dhe të Punës).
Në këto dy vende, në Shqipëri rreth 33% dhe Serbi 35% e punonjësve raportojnë se kanë një grua si eprore, një shifër kjo që i përafrohet mesatares së vendeve të Bashkimit Europian dhe tejkalon ndjeshëm fqinjët e tjerë ballkanikë.
Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, kanë një prezencë më të ulët të grave në krye të bizneseve 28% dhe 32%. Edhe pse këto vende shfaqin një përpjekje për integrimin e grave në vendimmarrje, dominimi i burrave mbetet i lartë, me rreth 65-70% të pozicioneve menaxheriale të zëna prej tyre. Barrierat tradicionale janë ende prezente, por kanë filluar të lëshojnë rrugë përballë trendëve të reja të lidershipit.

Në Bosnjë, shifra e eprorëve burra i kalon 75%, ndërsa në Kosovë ky dominim arrin kulmin me mbi 80%, duke e lënë përfaqësimin e grave në nivele minimale, rreth 15-18%. Këto të dhëna konfirmojnë një hendek të thellë gjinor në këto dy tregje pune, ku figura e “shefit” mbetet pothuajse ekskluzivisht mashkullore.
Vendet si Suedia me rreth 50% eprorë burra dhe 48% gra apo Finlanda, përfaqësojnë barazinë më të madhe gjinore në Europë.
